Gjenerali Wesley Clark, duke folur për fushatat e dezinformimit gjatë luftës në Kosovë, ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar nuk ka lejuar hetuesit e regjimit të Sllobodan Millosheviqit të hetonin Masakrën e Reçakut, nga frika se provat do të manipoloheshin.
Clark theksoi se ekzistonte rreziku që Millosheviqi t’i tjetërsonte faktet dhe ta paraqiste ngjarjen sikur ishte kryer nga UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas dëshmisë së tij, në atë periudhë ndërkombëtarët insistonin që rastin ta hetonte Tribunali Penal për Ish-Jugosllavinë (TPNJ), pikërisht për të shmangur manipulimin.
Këtë qëndrim e lexoi avokati Aiden Ellis, përfaqësues i Jakup Krasniqit, i cili citoi deklaratën paraprake të Clarkut, ndërsa vetë dëshmitari e konfirmoi sërish.
Clark shtoi se Millosheviqi kishte tentuar më herët të manipulonte informacione dhe situata, ndaj qëllimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar ishte të ndalonte çdo përpjekje të mëtejshme për dezinformim.
Ai gjithashtu pranoi se gjatë luftës kishte dhënë deklarata publike ku e paraqiste UÇK-në si një forcë të mirëorganizuar, ndonëse realiteti në terren ishte ndryshe.
Sipas tij, këto komente ishin pjesë e një strategjie komunikimi dhe audienca e synuar ishte vetë Millosheviqi, i cili i ndiqte deklaratat e tij.
“Ai më dëgjonte dhe unë doja t’i projektoja idenë e forcës për ta detyruar të vepronte më shpejt”, ka thënë Clark, duke sqaruar se fjalët e tij nuk përfaqësonin vlerësim zyrtar të NATO-s për kapacitetet e UÇK-së.
Sipas tij, përdorimi i deklaratave politike është i zakonshëm në situata konflikti.