Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, pritet të qëndrojë sot në Kosovë, si pjesë e turneut të tij në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ambasada gjermane në Kosovë ka njoftuar se vizita ka nisur të dielën në Bosnjë e Hercegovinë dhe ka vazhduar në Mal të Zi, Shqipëri, Serbi dhe sot pasdite në Kosovë, ndërsa do të përfundojë të mërkurën në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Wadephul do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas ambasadës, kjo vizitë vjen si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Gjermanisë për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian.