Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar rrezik për vërshime të shpejta gjatë ditës së sotme dhe nesër (18–19 nëntor), si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë që kanë nisur herët në mëngjesin e së martës.
Në njoftim thuhet se, sipas të dhënave dhe modeleve hidrometeorologjike, në disa zona të vendit priten reshje të dendura, të cilat mund të shkaktojnë vërshime të menjëhershme.
Më të rrezikuara janë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit, si edhe zona të tjera me karakter malor.
Sasia e reshjeve që pritet të kalojë mbi 40 litra për metër katror brenda 24 orëve mund të sjellë përmbytje, vështirësi në trafik, dëme në bujqësi dhe rrezik për rrëshqitje dheu.