Rifillim të dialogut dhe fund bllokadave politike: Kryediplomati gjerman shpalos mesazhet e Berlinit 

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, në konferencën e përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dha një mesazh për drejtimin politik që duhet të marrë vendi, dinamizim të dialogut, themelim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re.

Ai vlerësoi zhvillimin demokratik të Kosovës, por paralajmëroi se rruga drejt BE-së kërkon angazhim të ri dhe qetësi politike.

Wadephul theksoi se procesi i dialogut me Serbinë ka stagnuar dhe se të dyja palët duhet të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura.

“Ka ngecje ne dialog. Kushdo që përmban të gjitha elementet vendimtare për normalizim, duhet t’i zbatojë ato shpejt dhe plotësisht. Kjo është pritja jonë ndaj të dyja palëve. Për këtë nevojitet më shumë angazhim si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia. Për Kosovën, kjo nënkupton, për shembull, të ndërmarrë hapa drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Është e rëndësishme që politika e goditjeve të ndërsjella dhe menaxhimit të vazhdueshëm të krizave të marrë fund. Dialogu i normalizimit duhet të vazhdohet me vullnet për mirëkuptim. Sipas kësaj ne i vlerësojmë qeveritë në të dyja vendet”, tha ai.

Ne të gjithë, qoftë anëtarë të BE-së apo jo, duhet t’i bëjmë të qartë Rusisë se destabilizimi, dezinformimi dhe manipulimi nuk kanë vend në kontinentin tonë. Ne u kundërvihemi përpjekjeve për destabilizim me një Evropë të bashkuar. Në këtë kuadër, zgjerimi i BE-së ka tani një urgjencë gjeopolitike. Për herë të parë pas shumë vitesh, ekziston sërish një perspektivë reale për këtë. Zhvillimi i Kosovës që nga fundi i luftës në vitin 1999 dhe që nga pavarësia në vitin 2008 është një histori e vërtetë suksesi. Për shumë njerëz në rajon, Kosova sot përfaqëson demokraci dhe shoqëri civile të fortë”, ka thënë ai.

Ai vlerësoi progresin e Kosovës që nga përfundimi i luftës dhe pavarësia, duke e quajtur vendin një “histori suksesi” në rajon.

Një ndër mesazhet më të drejtpërdrejta të Wadephul ishte nevoja urgjente për një qeveri funksionale, duke theksuar se qytetarët po presin tashmë prej tetë muajsh.

“Që ky sukses të vazhdojë, Kosovës i duhet sa më shpejt një qeveri funksionale, brenda dhe jashtë vendit. Për tetë muaj me radhë votuesit kanë pritur. Ata kanë pritjen plotësisht të arsyeshme që zgjedhjet demokratike të shndërrohen në politikë konkrete për të mirën e njerëzve. Në radhë të parë, kjo nënkupton formimin e një qeverie të qëndrueshme që mund të punojë për interesat e qytetarëve”, ka shtuar ai.

Ministri gjerman ritheksoi se Kosova ka potencialin për të ecur përpara drejt anëtarësimit, por ky proces kërkon kohë, konsistencë dhe reforma afatgjata.

“Ne jemi të bindur se Kosova ka forcën dhe vullnetin për t’i ndërmarrë dhe zbatuar me këmbëngulje dhe në afat të gjatë reformat e nevojshme për anëtarësim në BE. Ky rrugëtim kërkon durim. Gjermania është e gatshme, të dashur miq, ta mbështesë Kosovën me tërë fuqinë në këtë rrugë.

Gjithashtu është e qartë se përparime të vërteta mund të ketë vetëm kur siguria dhe besimi në Ballkanin Perëndimor rriten në mënyrë të qëndrueshme. Sot do t’i vizitoj edhe trupat e KFOR-it. KFOR-i është një shtyllë e rëndësishme stabiliteti për Kosovën dhe rajonin. Gjermania ka qenë pjesë e kësaj misioni që nga fillimi. Është angazhimi më i gjatë i Bundeswehrit. Bundestagu gjerman dhe tre kolege e kolegë që më shoqërojnë sot, e kanë zgjatur mandatin edhe këtë vit. Për këtë ju falënderohem.

Për integrimin rajonal dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian, një rol të rëndësishëm luan edhe Procesi i Berlinit. Përpjekjet e përbashkëta, sado të vështira që mund të jenë, janë të rëndësishme që të arrijmë përmirësime të vërteta për njerëzit në rajon. Bëhet fjalë për lirinë e plotë të udhëtimit, njohjen e diplomave universitare, krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Vetëm kështu mund të sigurojmë që njerëzit të mos e humbasin besimin dhe shpresën për një të ardhme në Bashkimin Evropian”, ka thënë kryediplomati gjerman.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Të fundit nga rubrika