“Kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie” kështu është përgjigjur, gjenerali Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, kur është pyetur për deklaratat që e cilësonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.
Këtë e tha, derisa iu përgjigj pyetjeve të prokurorit të specializuar, në procesin gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së.
“..në 1974 kur Kosova supozohej të ishte një shtet i ndarë administrativisht, Millosheviqi këtë e hoqi, e fshiu, dhe në një pikë të caktuar disa njerëz që quheshin terrorist u bënë çlirimtarët e njerëzve, u bënë mbrojtja kolektive e popullit të vet”, ka thënë Clark.
Ai ka folur edhe për bombardimet e NATO-s, duke thënë se Rusia kishte tentuar të pengonte këtë operacion.
Clark u pyet edhe për akuzat që rëndojnë Thaçin dhe të tjerët dhe tha se kishte menduar se kanë të bëjnë me diçka tjetër.
“Akuza për të cilat mendoja unë ishte shitje organesh, kam përshtypjen që në periudhën 2007-2008 kishte akuza ndaj UÇK-së për shitje organesh dhe unë personalisht e konsideroj se ishte thjesht dezinformim. Nuk më kujtohet se kur e kam kuptuar plotësisht se për çfarë bënin fjalë akuzat”, ka thënë Clark.
Gjenerali amerikan e ka përfunduar dëshminë, e pa dyshim që nuk kaloi pa një adresim, në të cilin udhëheqësit e UÇK-së i krahasoi me patriotët amerikanë e rrethanat në Ukrainë.
“Këtu kemi persona që luftuan për lirinë e tyre. Pra ligjet, procedurat e shoqërive moderne duhet të kuptojnë edhe nevojat e personave që luftojnë për lirinë dhe dinjitetin e tyre. Kështu filloi revolucioni në SHBA dhe ata patriotë amerikanë në 1775-74 po ashtu u konsideruan terroristë nga britanikët, por Amerika u kthye në shtet madhështor. Duhet të keni parasysh të shkuarën, historinë. Duhet të shikoni çka po ndodhë në Ukrainë, mbase do të ketë procese për Ukrainën të ngjashme. Por është e rëndësishme të kuptoni, rrethanat dhe kush mbanë përgjegjësi penale dhe ka aspekte më të larta strategjike që ndonjëherë kanë epërsi dhe që shkojnë përtej mundësive të një individi të vetëm. Faleminderit që më dhatë mundësinë të shpjegoja. Ky është mendimi im. E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë që ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mbanë përgjegjësi për aktet individuale të dhunës dhe hakmarrjes”, ka thënë Clark.
Ky ishte dëshmitari i shtatë dhe i fundit i propozuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit. Nesër pasdite do të mbahet një konferencë mbi ecurinë e çështjes, ku edhe pritet të diskutohen hapat e ardhshëm për këtë proces të nisur në vitin 2023.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.