Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë të mërkurën dy seanca të ndara, në ditën e fundit të afatit kushtetues për krijimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur këto seanca me qëllimin për të çuar përpara disa prej çështjeve të bllokuara institucionale dhe për të provuar votimin e kabinetit të mandatarit Glauk Konjufca.
Mirëpo, katër partitë – PDK, LDK, AAK dhe Nisma – kanë refuzuar pjesëmarrjen në seancën e parë dhe kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër Qeverisë në seancën e dytë, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Kujtojmë se në herën e parë, Lëvizja Vetëvendosje dështoi me kandidaturën e Albin Kurtit.
Në seancën që mbahet në orën 14:00, do të testohet kandidatura e Glauk Konjufcës si mandatar për kryeministër. Deri më tani, LVV-ja nuk ka dhënë shenja publike se ka siguruar votat e nevojshme për të kaluar këtë seancë.
Seanca e orës 11:00, e kërkuar nga 40 deputetë të Vetëvendosjes, parasheh nëntë pika të rendit të ditës, nga formimi i komisioneve parlamentare, te shqyrtimi i projektligjit për buxhetin 2026, e deri te marrëveshjet ndërkombëtare dhe financimi i RTK-së. LVV ka argumentuar se këto vendime janë të domosdoshme për funksionimin institucional.
Megjithatë, PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë.