Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar ndaj seancës së paralajmëruar për orën 11:00, duke e cilësuar atë si “antiligjore, antikushtetuese dhe përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues”.
Para mediave, Behrami akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për uzurpim të institucioneve shtetërore dhe për zvarritje të qëllimshme të proceseve përmes emërimit të ushtruesve të detyrës.
“Qëndrimi i PDK-së është i qartë se seanca e orës 11:00 është një seancë me përmbajtje antiligjore, antikushtetuese dhe me përpjekjet për të përmbysur rendin kushtetues të Kosovës. Tash e një vit Albin Kurti, i cili ka okupuar institucionet e Kosovës, zyrën e kryeministrit, ka okupuar të gjitha institucionet që operojnë me ushtrues të detyrës, po bën çmos që të përmbysë rendin kushtetues dhe në këtë vit ai është ridëshmuar si një njeri që bën hile, një hileqar që nuk respekton rregulla, ligje, norma, nuk respekton kushtetutë. PDK qëndrimi i saj është i qartë, ne nuk do të jemi të pranishëm në orën 11:00”, ka thënë Behrami.