I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur qëndrimin e bërë publik tash e sa kohë se nuk kanë vota pro për Lëvizjen Vetëvendosje në formimin e Qeverisë së re.
Para seancës së jashtëzakonshme për formimin e saj, Abdixhiku u tha gazetarëve se Vetëvendosje vetëm shfrytëzoi 15 ditë për një qëllim të cilin e quan shfaqje teatrale, njofton Dukagjini.
“Sot, LDK-ja nuk pret asgjë, përveç faktit të konfirmimit që janë humbur 15 ditë, duke e ditur dhe pritur rezultatin e njëjtë. Pra, Lëvizja Vetëvendosje e ka ditur që nuk i ka numrat, e ka ditur që e kemi një krizë, e kemi paralajmëruar që kemi një krizë, dhe sërish kanë vendosur që të na i shfrytëzojnë 15 ditë”.
“Gjithë ky shpenzim kohe është bërë për një qëllim, për shfaqje teatrale. Dhe nëpërmjet një shfaqje teatrale të tillë me disa kundërshtarë imagjinarë, përgatitën material për fushatë elektorale”, u shpreh Abdixhiku.
Mes tjerash, Abdixhiku e ka quajtur të gabueshëm veprimin e presidentes Vjosa Osmani që i dha edhe 15 ditë afat për mandatarin Glauk Konjufca.
“Është gabim i madh për republikën, ishte parë që nga fillimi që nuk e kanë shumicën dhe nuk e premtuan që do t’i bëjnë numrat. Është jo logjike dhe është vetëm humbje kohe. Në politikë duhet të ketë edhe dinjitet”, ka thënë ai.
Abdixhiku, gjithashtu, tregoi se VV-ja nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i kontaktuar.