Kryetari i partisë kur e kishte rastin të bëhej kryeministër, Dimal Bashës ia besoi postin e ministrit të Infrastrukturës, ndërsa Glauk Konjufca në vend të tij e vendosi Besnik Bislimin.
Ky është një nga ndryshimet më të dukshme që i mandatuari i dytë për formim të Qeverisë e paraqiti në seancë.
Gjithçka ishte ripërsëritje. Në kabinet Konjufca i ndërroi vendet me Kurtin në postet e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm, ndërsa pos Bashës nuk kishte asnjë ndryshim tjetër.
Ekspozeja e kandidatit për kryeministër, erdhi pa asnjë marrëveshje partitë politike, e cila do t’i garantonte Konjufcës 61 vota.
“Së pari synojmë ta kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje eventuale, do të ishte arrogancë ta qojmë vendin tonë drejt në zgjedhje”, ka deklaruar Glauk Konjufca – Kandidat për Kryeministër.
Përpos projekteve e planeve për shumë fusha, të gjitha pikat e rendit të ditës që dështuan të votohen në seancën e orës 11:00, Konjufca deklaroi se do t’i trajtojë me urgjencë.
Në frontin ish-opozitar, qëndrimin e ditur të PDK-së e përcolli njëri ndër deputetët që për një kohë të gjatë nuk është parë në foltoren e Kuvendit.
Uran Ismaili fjalimin e nisi duke ia vendosur Kurtin epitetin e ‘arkitektit të mentalitetit bllokues’.
‘Nuk ka njeri as në LVV e as në Kosovë e fatkeqësisht as vet kandidati Konjufca që beson se mund të jetë kryeministër i vërtetë e z. Kurti, zëvendësi i tij, kjo seancë është farsë”, ka deklaruar Ismaili.
Përkundër se Konjufca është kandidati për kryeministër, as lideri i LDK-së nuk e kurseu Kurtin me kritika, duke e krahasuar me Don Kishotin, që sipas tij shpik rreziqe të paqena për Kosovën.
“Sot në emër të LDK-së të e mbyllin këtë seancë me një të vërtetë të thjeshtë dhe një thirrje të madhe, koha e Don Kishotëve dhe Sanqo Panqove duhet të mbarojë në Kosovë, sepse nuk jemi novelë e një njeriu me fantazi, Kosova është Republikë”, ka deklaruar Dek – Lumir Abdixhiku – LDK.
Në vijë me ta ishte edhe Ramush Haradinaj i AAK-së, por që një pjesë të mirë të fjalimit ia kushtoi projekteve infrastrukturore që nuk janë realizuar e më pas iu kthye Konjufcës me dy pyetje me ironi.
“I nderuar mandatuar, kur e keni marr mandatin a e keni shqyrtu a i keni 61 nënshkrime, 61 deputetë…Të mungoi një fjalë të paktën për luftimin e korrupsionit nuk e pate fare në fjalor, nuk ka nevojë me u luftu korrupsioni ose nuk ka nevojë me luftu se në puishtet jeni ju apo nuk e di, një fjalë nuk e pate?”, ka deklaruar Ramush Haradinaj – Kryetar i AAK.
Me mbështetjen e pamjaftueshme të GP të 8 deputetëve nga komuniteti jo shumicë erdhi momenti që do ta definonte dilemën mbi 7 mujore, qeveri e re ose zgjedhje të parakohshme.
Vetëvendosje me një pjesë të deputetëve nga komunitete me ngritjen e duarve i grumbulloi 56 vota. PDK, LDK, AAK e Lista Serbe votuan kundër, e Nisma abstenoi.
Me këtë u shteren të gjitha mundësitë për qeveri të re nga zgjedhjet që u mbajtën më 9 shkurt, derisa një palë tjera të parakohshme pritet të shpallen së shpejti.