Pas reshjeve të dendura të shiut më 18 nëntor, disa zona në vend u përballën me vërshime.
Në Gjilan, njësitet patrulluese të Policisë së Kosovës intervenuan për të shpëtuar dy të moshuar, shtëpia e të cilëve ishte përmbytur nga uji.
“Gjatë intervenimit, zyrtarët policorë kanë arritur të shpëtojnë dy persona të moshuar, shtëpia e të cilëve ishte përmbytur nga uji. Reagimi i shpejtë dhe profesional i zyrtarëve policorë kanë bërë që të shmangen pasoja të rënda dhe të mbrohen dy jetë njerëzish”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në faqen zyrtare të Policisë në Facebook është publikuar edhe video e intervenimit të tyre.