Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkonte rivotim në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duke konfirmuar kështu vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të datës 14 nëntor.
PDK kishte pretenduar se në këtë komunë ishte përdorur metoda e njohur si “treni bullgar”, duke akuzuar për manipulim të votave dhe kërkuar përsëritjen e procesit zgjedhor.
Megjithatë, PZAP këtë ankesë e kishte refuzuar si të pabazuar, duke konstatuar se nuk kishte prova që dëshmonin parregullsi të tilla.
Pas këtij vendimi, PDK iu drejtua Gjykatës Supreme, duke kërkuar që të urdhërohej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të organizonte rivotim brenda afateve ligjore dhe në përputhje me procedurat përkatëse.
Por, sipas vendimit të sotëm, Gjykata Supreme ka vlerësuar se pretendimet e PDK-së nuk qëndrojnë dhe se PZAP ka vepruar drejt në konstatimet e saj.
“Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.122/2025, është refuzuar si e pathemeltë ankesa e parashtruar nga subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.439/2025, të datës 14.11.2025.