Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur sot shkarkimin e Besim Kelmendit nga detyra e Ushtruesit të Kryeprokurorit të Shtetit.
Ky vendim u mor gjatë një mbledhjeje ku ishin të pranishëm vetëm pesë anëtarë.
Shkarkimi erdhi pas kërkesës së zëvendëskryesueses së KPK-së, Jehona Gërvalla-Grantolli, e cila propozoi futjen e çështjes së Kelmendit në rendin e ditës, duke përmendur edhe intervistimin e tij të fundit si dëshmitar për masakrën e Reçakut.
Vendimi ka shkaktuar reagime. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për sundimin e ligjit dhe për proceset reformuese në sistemin prokurorial.
“Sot, shkarkimi i ushtruesit të Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformën e nevojshme dhe të vazhdueshme të KPK-së dhe shpërfill parimet e shtetit të së drejtës dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Ky veprim gjithashtu minon progresin e Kosovës drejt rrugës së saj evropiane”, thuhet në reagimin e BE-së.