Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti të enjten në Shtëpinë e Bardhë një delegacion të gjerë pengjesh izraelitë, të liruar muajin e kaluar si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, të ndërmjetësuar nga ai.
Në mesin e të pranishmëve ishin 26 pengje, përfshirë 17 nga 20 të mbijetuarit e liruar në marrëveshjen e hyrë në fuqi në muajin tetor.
“Ju s’jeni më pengje… sot jeni heronj”, u tha Trump të pranishmëve në një pjesë të shkurtër të fjalimit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
President Donald J. Trump hosts freed Israeli hostages at the White House. 🇺🇸💛
“You’re not a hostage anymore—today you’re HEROES.” pic.twitter.com/v0RstOuulb
— The White House (@WhiteHouse) November 20, 2025
Ai vlerësoi posaçërisht Matan Angrest, i cili sipas presidentit amerikan kishte pësuar tortura të rënda për shkak të shërbimit të tij në ushtrinë izraelite (IDF).
“Matan ka kaluar nëpër ferr, por ai nuk u thye kurrë. Sot është një dëshmi e gjallë e forcës, zemrës dhe besimit të popullit hebre”, tha Trump.
Presidenti shtoi se kishte nder të njihte secilin prej tyre, duke theksuar se disa i kishte takuar më parë, në grupet e pengjeve të liruara nga marrëveshjet e mëhershme.
“Ju duam të gjithëve… jeni njerëz të jashtëzakonshëm”, u shpreh ai, duke u dhuruar secilit një monedhë speciale presidenciale.
Pengjet sollën gjithashtu dhurata për presidentin amerikan si shenjë falënderimi.