Një protestë e mbajtur të mërkurën mbrëma para Sinagogës “Park East” në Manhattan ka shënuar një përshkallëzim të ri të tensioneve antihebrenje në Nju Jork.
Rreth 200 protestues u mblodhën para hyrjes së sinagogës, ku mbahej një aktivitet informues i organizatës Nefesh B’nefesh, një grup që ndihmon hebrenjtë të emigrojnë në Izrael.
Demonstruesit u lejuan të pozicionoheshin pranë hyrjes së shkollës së sinagogës, duke detyruar pjesëmarrësit të kalonin përmes turmës së tensionuar.
Një demonstrues i maskuar, i ngritur mbi turmë, u bëri thirrje protestuesve që të “frikësojnë hebrenjtë” për të parandaluar organizimin e eventeve të tilla.
“Është detyra jonë t’i bëjmë të mendojnë dy herë. Ne duhet t’i bëjmë të frikësohen!”, tha ai, ndërsa turma përsëriste çdo fjali me zë të lartë, shkruan Times of Israel.
Protesta përfshiu disa prej parullave më të ashpra të dëgjuara muajt e fundit:
“Death, death to the IDF” (“Vdekje, vdekje për IDF-në”), “Globalize the intifada” (“Globalizoni intifadën”)…
Sipas Times of Israel, kjo ishte hera e parë që protestues në Nju Jork thërrisnin hapur slogane që nxisin vdekje, një përshkallëzim që ka alarmuar edhe më shumë komunitetin hebre.
Protesta u shoqërua me fyerje të hapura ndaj kalimtarëve hebrenj.
Aktivistët pro-Izraelit e kundërshtuan protestën, dhe tensionet mes dy grupeve bënë që policia të ndërhynte për t’i mbajtur të ndarë.
NYPD konfirmoi se nuk pati arrestime, por nuk dha sqarime pse protestuesit u lanë kaq pranë hyrjes së sinagogës.