UEFA ka zyrtarizuar oraret e gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohen më 26 mars 2026 në orën 20:45.
Si Kombëtarja e Kosovës, ashtu edhe ajo e Shqipërisë, do të luajnë në të njëjtën kohë.
Kosova do të udhëtojë drejt Sllovakisë për t’u përballur me vendasit, ndërsa Shqipëria do të sfidojë Poloninë në Varshavë.

Të dyja takimet nisin në orën 20:45.
Nëse Shqipëria siguron kualifikimin, ajo do të luajë sërish në transfertë në finalen e play-off-it, kundër fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi.
Ndërkohë, Kosova ka një avantazh informativ: para fillimit të ndeshjes së saj me Sllovakinë, do të mund ta mësojë kundërshtarin e mundshëm për finalen. Kjo sepse sfida Turqi – Rumani, që përcakton rivalin e Kosovës në rast kualifikimi, do të luhet më herët, në orën 18:00. Ky është i vetmi takim i gjysmëfinaleve që starton para orarit 20:45.
Sipas propozimit të UEFA-s, nëse Kosova dhe Shqipëria avancojnë në finale, ndeshjet vendimtare do të zhvillohen sërish paralelisht, në të njëjtën orë.
Në rast se Kosova kualifikohet, ajo do ta presë finalen në Prishtinë kundër fituesit të Turqi – Rumani, ndërsa Shqipëria do ta luajë edhe finalen si mysafire.