Përgjatë 74 viteve jetë, inxhinieri i elektroteknikës e profesori ekselent, Naim Hoxha, la gjurmë të pashlyeshme në fushën profesionale por edhe në personalitetin e të gjithë atyre që patin fatin ta njohin e të punojnë me të.
Me rastin e vdekjes së tij, në tubimin përkujtimor në Institutin Riinvest, për të cilin si shumë ku, Hoxha kishte hise në themelim, ndanë kujtime për të, kolegë të punës, të cilët pashmangshëm u kthyen në shokë e njerëz të afërt.
Kontributi i profesorit Naim Hoxha, nis nga vitet 90’, e do të përcillet gjatë edhe përmes gjeneratave që edukoi e iu bën më vonë kolegë.
“Ai kualitet i mësimit në atë kohë që e ka bërë Naimi bashkë me neve, ka qenë më i miri në rajon, më i miri në rajon për këtë fushë, edhe më i mirë se ai që serbët na kishin marrë objektet, edhe na kishin përzënë prej aty”, u shpreh profesori, Muhamet Mustafa.
Drejtor i Institutit Riinvest, Alban Hashani, u shpreh se profesori i ndjerë kishte dije polietrike teksa me të mund të diskutoje mbi gjithçka.
“Profesori Naim kishte një dije polietrike, me lehtësi me të mund të diskutoje mbi teknologjinë, mbi letërsinë, filozofinë, ekonominë, zhvillimin dhe e kishte një zell të jashtëzakonshëm për të sqaruar dhe mbrojtur pikpamjet e tij.”
Që shkenca, mësimdhënie, e kolegët e punës e të profesionit ishin të pazëvendësueshëm për Naim Hoxhën e thanë edhe familjarët e tij.
“Ai ju ka dashtë shumë, ju ka respektu shumë, po edhe ju ja keni ofru diçka që ndoshta nuk e dini, hapësirën me u shtru pasionin e tij, ai ka qenë këtu në pasionin që e ka pasur më të madhin në jetë arsimin debatin shkencën, përparimin”, u shpreh djali i të ndjerit, Ylli Hoxha.
Naim Hoxha ishte shkolluar në Universitetin e Prishtinës dhe të Zagrebit, duke shërbyer në shumë pozita të rëndësishme të sektorin publik të pasluftës në Kosovë, pa lënë asnjëherë anash ligjërimin në fakultetin e Ekonomisë e më pas edhe në kolegjin Riinvest.