Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të hënën mungoi dëshmitari
Shaban Murseli- babai i të akuzuarit Naim. Gjykata mori vendim të lexohet deklarata e tij e dhënë në Polici.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Gjykatësja Fatime Dermaku tha se mungon Shaban Murseli, për të cilin Gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese.
Ajo tha se sipas nipit të Murselit, ai jeton në Suedi. Dhe se Shaban Murseli të pretemten e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.
Prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se meqenëse dëshmitari Murseli ka dhënë deklaratë në procedurën paraprake më 6 dhjetor 2023, dhe se tani nuk është i qasshëm për organet e gjyqësisë dhe se e ka njoftuar që nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, propozoi që deklarata e tij e dhënë në Polici të lexohet si provë me qëllim të ekonomizimit dhe racionalitetit të kësaj procedure penale.
Avokati i palës së dëmtuar- Leotrim Syla dhe mbrojtësja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku e përkrahën mendimin e prokurorit.
Edhe i akuzuari Murseli u pajtua me propozimin, me qëllim që të mos zvarritet procedura.
Edhe i akuzuari Granit Plava dhe avokati i tij Skender Gojani, u pajtuan të lexohet deklarata e Murselit.
Kurse, avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Doda tha se pajtohen ta kenë vetëm si shkresë e jo si provë. Njëjtë i pajtua edhe Kokalla.
Më pas, trupi gjykies mori vendim për leximin e deklaratës së dëshmitarit Shaban Murseli e dhënë në Polici më 6 dhjetor 2023.
Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Edhe në seancën e 22 shtatorit, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt./BetimipërDrejtësi