Me gjashtë vota për, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi propozimin e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që në buxhetin për zgjedhjet e 28 dhjetorit të përfshihet edhe shuma për dërgimin e fletëvotimeve me postë për votuesit jashtë vendit.
Buxheti total për zgjedhjet është 11.493.526 euro.
Anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, paralajmëroi se ata që votuan pro këtij propozimi duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat, nëse mërgata nuk arrin të votojë.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kërkoi ndryshimin e afateve për t’i dhënë më shumë kohë diasporës për të votuar.
Ai shtoi se dy kompani që transportojnë postën kanë njoftuar se dërgesat mund të nisin vetëm nga data 7 janar, prandaj shpenzimi i menjëhershëm i fondeve për dërgimin e fletëvotimeve konsiderohet “absurd”.
Anëtarët e PDK-së dhe AAK-së, Arianit Elshani dhe Muharrem Nitaj, kishin propozuar që buxheti të përfshijë fonde për dërgimin e fletëvotimeve me postë, duke u bazuar në përvojën e zgjedhjeve të 12 tetorit.
Ndërsa Krasniqi i VV-së insistoi të vazhdohet me buxhetin siç ishte prezantuar, duke theksuar kufizimet kohore.
Radoniqi ka potencuar dy institucione që e transportojnë postën kanë deklaruar me shkrim zyrtarisht që dërgesat mund të shkojnë nga data 7 janar.
Anëtarja e KQZ-së, Müferra Şinik, ka treguar se ka marrë mesazhe dhe presione telefonike lidhur me këtë çështje, pa përmendur emra.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, theksoi se puna e anëtarëve nuk duhet të ndikojë nga presioni.
Sami Kurteshi nga VV e pyeti anëtaren turke nëse kishte ndjerë presion nga ai, por ajo e mohoi.