Persona të panjohur dyshohet se kanë dëmtuar një pjesë e najlonit te bajpasi në punishten në kanalin e Ibër-Lepencit, në Zubin Potok.
Duke konfirmuar rastin, Policia njoftoi se bëhet fjalë për dëmtim ose asgjësim të pronës.
“Me datë 25.11.2025 rreth orës 12:15 ankuesi, punë kryesi në kanalin e Ibër Lepencit ka raportuar se cerada-najlloni, i cili ka qene i shtrirë në bajpas, iu është dëmtuar. Vlera e demit sipas ankuesit është rreth 3000-4000 euro. Në vend të ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe kanë kryer vend-shikimin. Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, dhe rasti është hapur asgjësim apo dëmtim i pasurisë. Rasti është nën hetime”, ka deklaruar Petrit Fejza, Zëdhënës i Policisë – Drejtoria Mitrovicë – Veri.
Një ditë pas, në vend-ngjarje nuk pati prani të forcave policore.
Derisa gjithçka dukej zakonshëm, Policia tha se patrullimet përgjatë rrjedhës së kanalit – që konsiderohet infrastrukturë kritike – janë të kohëpaskohshme.
Në një përgjigje nëpërmjet telefonit, kryeshefi i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka, tha se nuk ka dëme serioze dhe se furnizimi me ujë po vijon.
“Është dëmtuar një pjesë e ceradës te bajpasi në pjesën e kanalit në Zubin Potok. Dëmet nuk janë aq serioze, por nuk është mirë që kjo ka ndodhur. Tani duhet të bëhen riparime. Qarkullimi i ujit është duke vazhduar, qoftë përmes bajpasit, qoftë përmes kanalit”, ka deklaruar Faruk Muj ka, Kryeshef i ndërmarrjes Ibër-Lepenci.
Segmenti i kanalit të Ibër Lepencit, ku është dëmtuar najloni, shtrihet në hapësirën ndërmjet varrezave dhe komunës.
Teksa tha se institucionet e sigurisë po kryejnë punën e tyre, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, theksoi se situata nuk është alarmante.
“Besoj që nuk ka nevojë për shqetësim as sa i përket sigurisë e as sa i përket qarkullimit të ujit, sepse këtu thjeshtë është duke u mbuluar kanali… Sa i përket furnizimit me ujë nuk është ndonjë rrezik, por ka një dëm asaj pjesë si ceradë, është e plastikës”, ka theksuar Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut.
Për rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk dha ndonjë informacion shtesë.
Më 29 Nëntor të vitit të kaluar, po në kanalin e Ibër-Lepencit, por në fshatin Varagë të Zubin Potokut, kishte ndodhur një sulm terrorist – ku si pasojë e një shpërthimi ishte rrezikuar furnizimi me ujë për një numër të konsiderueshëm komunash si dhe funksionimi i termocentralit në Kastriot.