Autoritetet e Hong Kongut kanë njoftuar se numri i të vdekurve nga zjarri në kompleksin Wang Fuk Court ka arritur në 44 persona.
Të paktën 44 persona kanë vdekur, 45 janë në gjendje kritike, dhe 279 persona ende rezultojnë të zhdukur pas zjarrit në Hong Kong.
Autoritetet kanë paralajmëruar se punimet gjatë natës paraqesin rreziqe shtesë për ekipet e shpëtimit, duke ngadalësuar përparimin e operacionit. Temperaturat e larta brenda ndërtesave e kanë bërë të vështirë punën në katet e sipërme.
Zëvendësdrejtori i zjarrfikësve, Derek Armstrong Chan, tha se pritet që operacioni për kontrollimin e zjarrit të zgjasë gjithë ditën, por flakët janë nën kontroll në katër nga tetë ndërtesat e kompleksit.
Policia ka arrestuar dy drejtues dhe një këshilltar të një kompanie ndërtimi me dyshim për vrasje nga pakujdesia. Gjetjet e para tregojnë se dritaret e bllokuara me pllaka polistireni dhe materialet e dobëta të ndërtimit mund të kenë favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit.