24 kamera me njohje automatike të targave, 6 kamera videovezhguese multisensor dhe një kamerë rrotulluese tashmë janë vendosur në gjithë qytetin e Prishtinës.
Të gjithë qytetarët që vozisin në zonat më të ngarkuara të kryeqytetit do të përcillen në nëntë lokacione nga këto kamera.
Madje, nëse vërehet që bëjnë shkelje në trafik, dënimi do t’iu shkojë në shtëpi.
Policia e Kosovës
“Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor”, kanë thënë nga Pilicia e Kosovës.
Sipas ish-zv ministrit të Punëve të Brendshme, kjo strategji është mjaft e njohur.
“Është një praktikë e njohur ndërkombëtare, e bazuar në kornizën ligjore dhe si e tillë duhet të zbatohet natyrshëm”, ka thënë Valdet Hoxha.
Sipas tij, kjo mund të ndikoj dukshëm për të ulur numrin e aksidenteve.
“Vendosja e kamerave nëpër qytet në funksion të shqiptimit të gjobave por mbi të gjitha në funksion të mbarëvajtjes së komunikacionit rrugor dhe në funksion të zvogëlimit të numrit të aksidenteve ka dhënë rezultate edhe statikisht në vend e praktikave ndërkombëtare ka ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve, qoftë me fatalitet, qoftë të kundërvajtjeve”, ka shtuar Hoxha.
Ky është projekt i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, si pjesë e strategjisë për forcimin e sigurisë publike dhe menaxhimin e integruar të trafikut urban.
