Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë të ditur se ka marrë një urim nga presidenti amerikan, Donald Trump, për përvjetorin 113-të të Pavarësisë së Shqipërisë.
Begaj ka falënderuar Trump teksa ka siguruar se Shqipëria është e përkushtuar për të punuar me SHBA-në prioritetet e përbashkëta dhe se Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të vazhdojë të qëndrojë, përkrah SHBA-së, njofton Dukagjini.
“Jam i nderuar të përcjell përshëndetjet e presidentit Trump për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë. Faleminderit SHBA, faleminderit juve president Donald Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria është e përkushtuar për të punuar me SHBA-në prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të vazhdojë të qëndrojë, përkrah SHBA-së”, ka shkruar Begaj në X.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Shqipërisë ndërsa festoni pavarësinë tuaj. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë të krijuar nga lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë. Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”, – shkruan Presidenti Donald J. Trump në telegramin e tij dërguar Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Kujtojmë se nga SHBA-ja Shqipërinë e uroi edhe sekretari Marco Rubio në një publikim në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ai rikujtoi partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri, për të cilin tha se është ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për të ardhme më të sigurt dhe të begatë.
I am honored to convey President Trump’s greetings to Albanians on Independence Day.
Thank you, USA, and thank you @POTUS Donald J. Trump for the warm and positive messages on this important day.
Albania remains committed to working with the United States on our shared…
— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) November 28, 2025