Avokati Emrsh Kastrati në FIVE në RTV Dukagjini ka folur lidhur me mbajtjen sot të seancës përgatitore të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku edhe ish-presidenti Hashim Thaçi shprehu pakënaqësi, përkatësisht mosrespektimin ndaj festës së Flamurit nga ana e gjykatës.
Kastrati ka thënë se shpreh keqardhje për Dhomat e Specializuara për veprimet e ndërmarra në kohë të papërshtatshme, sidomos në ditë të veçanta kur populli shqiptar feston festat e veta.
“Në rastin konkret, derisa ata janë gjyqtarë në Dhomat e Specializuara që janë me themelim dhe legjislacion të Kosovës, duhet të kenë parasysh që seancat, kur i planifikojnë, të mos i planifikojnë në ditët e veçanta festive, sikurse që është rasti i festës së 28 Nëntorit”.
Avokati Kastrati ka thënë se reagimi i Thaçit ishte jashtëzakonisht i arsyeshëm dhe me vend.
“Por ishte tejet e pavend, e papërshtatshme dhe shkelje e të drejtave dhe lirive të palës në procedurë, në rastin konkret, që gjyqtari i deklaroi se do të kesh mundësi ta marrësh fjalën në fund të procesit, në fund të seancës. Kjo ‘në fund të seancës’ i bie: unë po e kryej seancën e ti deklaro diçka që në fakt nuk do të vlejë thuajse asgjë…”, ka thënë ai.