Andriy Yermak, shefi me ndikim i kabinetit të presidentit të Ukrainës, ka dhënë dorëheqje disa orë pasi Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Posaçëm Kundër Korrupsionit (SAPO) kryen kontrolle në zyrën e tij.
Dorëheqja e Yermakut u konfirmua nga presidenti Volodymyr Zelensky të premten pasdite.
Zelensky tha se i është “mirënjohës” Yermakut, i cili kishte udhëhequr delegacionin ukrainas në bisedimet me Shtetet e Bashkuara në Gjenevë javën e kaluar për të gjetur një zgjidhje të mundshme të luftës në Ukrainë.
“Pozicioni ukrainas në procesin e bisedimeve ka qenë gjithmonë ashtu siç duhet”, tha Zelensky. “Ka qenë gjithmonë një pozicion patriotik. Por, dua të mos ketë thashetheme dhe spekulime”.
Ai shtoi se të shtunën do të zhvillojë konsultime me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë për të gjetur një zëvendësues për Yermakun.
“Njëqind për qind e forcës sonë do të fokusohet në mbrojtjen e Ukrainës”, tha Zelensky.
“Të gjithë tani duhet të veprojnë pikërisht kështu, në interes të shtetit tonë dhe ta mbrojnë shtetin tonë. Ky është një parim i pandryshueshëm. Takimet me palën amerikane do të zhvillohen së shpejti”.
Të premten më herët, NABU tha se veprimet hetimore ishin autorizuar dhe po kryhen si pjesë e hetimit.
Një korrespondent i medias ukrainase, Ukrayinska Pravda, duke raportuar nga vendi i ngjarjes publikoi fotografi të punëtorëve të agjencisë kundër korrupsionit duke hyrë në qarkun qeveritar në Kiev, por nuk dha detaje të tjera.
Zyra e Yermakut e konfirmoi më vonë se po bashkëpunonte plotësisht me hetuesit.
“Sot, NABU dhe SAPO po kryejnë veprime procedurale në shtëpinë time. Hetuesit nuk po përballen me asnjë vështirësi. Atyre u është dhënë qasje e plotë në banesën time dhe avokatët e mi janë në vendngjarje duke ndërvepruar me zyrtarët e zbatimit të ligjit. Sa më përket mua, unë kam ofruar bashkëpunim të plotë”, shkroi Yermak në Telegram.
Yermak konsiderohet se është një nga zyrtarët më të fuqishëm në Ukrainë dhe ai udhëhoqi delegacionin ukrainas gjatë bisedimeve me Shtetet e Bashkuara në Gjenevë javën e kaluar lidhur me mundësinë e arritjes së një ujdie për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ukraina është goditur nga një skandal korruptiv javëve të fundit, pasi është zbuluar se fondet që duhej të shkonin për mbrojtjen e infrastrukturës së energjisë janë devijuar.
Disa individë me ndikim, të lidhur me Zelenskyn, janë implikuar në këtë skemë.