Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar pas dështimit të seancës së shqyrtimit fillestar në rastin e rezervave shtetërore ndaj saj, pasi e mungoi.
Hajdari ka thënë se nuk ka marrë asnjë thirrje për pjesëmarrje nga Gjykata, duke premtuar se do të paraqitet në seancën e ardhshme sapo të konfirmohet ftesa, njofton Dukagjini.
“Të nderuar qytetarë, për seancën e sotme gjyqësore lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, nuk kam pranuar ndonjë thirrje nga Gjykata. Në momentin që të marr ftesën për seancën e ardhshme, do të jem e pranishme”, ka shkruar Hajdari në Facebook.
Pos Hajdarit, në këtë rast të akuzuar janë edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Në seancë ishin të pranishëm Lipovica, Gara dhe Muharremi ndërsa mungoi Hajdari dhe mbrojtësi i të pandehurit Lipovicës.
Gjyqtari Avni Syla tha se Hajdarit i është dërguar email zyrtar për seancën e sotme, mirëpo gjykata nuk ka pranuar konfirmim nga ana e saj nëse e kanë marrë ftesën apo jo.
“Në mungesë të Rozeta Hajdarit dhe mbrojtësit të të pandehurit Hafiz Gara, seanca e sotme nuk ka kushte të mbahet. Seanca e radhës caktohet për datën 13 janar në ora 09:30. Për të akuzuarën Rozeta Hajdari obligohet mbrojtësi Floret Latifaj që ta njoftojë për seancën”, tha Syla.
Mungesa e Hajdarit, dështon seanca për rastin e rezervave shtetërore