Ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevgen Korniychuk, është thirrur sot në Ministrinë e Jashtme izraelite për një “takim qortues”, pasi kritikoi publikisht kryeministrin Benjamin Netanyahu lidhur me komentet e tij mbi komunikimet e rregullta me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas një njoftimi zyrtar, Korniychuk u ftua në takim nga drejtori i përgjithshëm për Euro-Azinë, Yuval Fuchs, i cili i bëri të qartë se deklaratat e ambasadorit ishin “plotësisht të papranueshme” dhe tejkalonin protokollin diplomatik.
Fuchs theksoi se komentet e tij injoronin qëndrimin e qartë të Izraelit për luftën në Ukrainë, një pozicion që, sipas tij, është dëshmuar përmes vizitës së ministrit të jashtëm Gideon Sa’ar në Kiev dhe përmes votimeve të Izraelit në Kombet e Bashkuara.
Tensioni nisi pasi gjatë një debati në Knesset për pozicionin ndërkombëtar të Izraelit, Netanyahu vuri në pah “marrëdhënien personale” me Putinin, duke thënë se ai komunikon rregullisht me kreun e Kremlinit për të mbrojtur “interesat jetike të Izraelit”, përfshirë sigurinë në kufirin verior, shkruan Times of Israel.
Në një intervistë për Ynet, ambasadori Korniychuk reagoi ashpër, duke shprehur habi që Netanyahu i atribuon kaq shumë peshë një lideri që ka pushtuar vendin e tij dhe që mbështet Iranin dhe grupimet e tij militante. Ai theksoi se ishte “i befasuar nga deklaratat e Netanyahut, sidomos duke marrë parasysh çfarë përjetoi Izraeli më 7 tetor”, dhe shtoi se “njeriu duhet të qëndrojë në anën e duhur morale të historisë”.