Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në sallën e Kuvendit Komunal, Ruzhdi Shehu ka dhënë zyrtarisht betimin si kryetar i Komunës së Junikut, duke nisur kështu mandatin e tij të dytë në krye të kësaj komune.
Në fjalimin e tij të parë për mandatin e dytë, kryetari Shehu u shpreh i vendosur për të vazhduar rrugën e zhvillimit të komunës, duke theksuar se në qendër të punës së tij do të mbeten transparenca, llogaridhënia dhe përkushtimi ndaj qytetarëve.
“Kryetari i Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu, sot ka dhënë zyrtarisht betimin për të filluar mandatin e tij të dytë në krye të komunës. Ceremonia u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal, në praninë e një numri të madh të ftuarish, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të Junikut.
Z. Shehu rifitoi drejtimin e komunës në zgjedhjet e balotazhit, duke siguruar bindshëm besimin e shumicës së votuesve. Gjatë ceremonisë, krahas kryetarit, betimin e dhanë edhe anëtarët e rinj të Asamblesë Komunale, të cilët zyrtarizuan mandatin e tyre si përfaqësues të Kuvendit Komunal të Junikut.
Në fjalimin e tij, kryetari Shehu theksoi përkushtimin ndaj qytetarëve dhe zhvillimit të komunës, ai u zotua se mandatin e dytë do ta udhëheq me nder, transparencë dhe llogaridhënie, gjithmonë në shërbim të interesit të qytetarëve.
“Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për Junikun, duke ruajtur vlerat tona dhe duke sjellë zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, tha ndër të tjera kryetari Shehu.
Mbledhja solemne përfundoi me një koktej rasti, në një atmosferë festive për komunën e Junikut”, thuhet në njoftim e Komunës së Junikut.