Raporti i IKD-së: Autorizimi për ekzaminim të telefonave, kompetencë ekskluzive e prokurorit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Ekzaminimi i telefonave në procedurë penale”, i cili analizon bazën ligjore, kushtetuese në Republikën e Kosovës dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) lidhur me sekuestrimin dhe ekzaminimin e pajisjeve telefonike në procedurën penale në Kosovë.

Raporti i përgjigjet debatit publik dhe profesional të hapur së fundmi lidhur me pyetjen nëse për ekzaminimin e të dhënave në telefonat e sekuestruar kërkohet vendim i posaçëm gjyqësor, apo nëse mjafton autorizimi i Prokurorit të Shtetit pas sekuestrimit të ligjshëm të pajisjes me vendim të gjykatës, njofton Dukagjini.

Në këtë analizë, IKD shqyrton në mënyrë të detajuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), veçanërisht dallimin ndërmjet përgjimit si masë e veçantë hetimore dhe ekzaminimit të provave të marra nga pajisjet e sekuestruara, si dhe përputhshmërinë e këtyre dispozitave me nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me jurisprudencën relevante të GjEDNj-së.

Gjetjet kryesore të raportit tregojnë se, sipas KPPRK-së, kompetenca për autorizimin e ekzaminimit të pajisjeve telefonike të sekuestruara i takon ekskluzivisht Prokurorit të Shtetit, ndërsa gjykata ka kompetencë vetëm për sekuestrimin e pajisjeve dhe jo për ekzaminimin e tyre, pasi për këtë të fundit nuk ekziston bazë ligjore për nxjerrjen e një vendimi gjyqësor.

Raporti po ashtu konstaton se të dhënat e nxjerra nga një pajisje telefonike e sekuestruar ligjërisht nuk përbëjnë “përgjime”, pasi përgjimi lidhet me mbikëqyrjen e komunikimeve në kohë reale dhe rregullohet si masë e veçantë hetimore, e cila kërkon çdoherë vendim gjyqësor. Në të kundërtën, ekzaminimi i provave të sekuestruara rregullohet me dispozita të tjera ligjore dhe me standarde të ndryshme kushtetuese dhe ndërkombëtare.

IKD vlerëson se ndryshimi i praktikës gjyqësore mbi bazën e të njëjtit ligj krijon pasoja serioze në praktikë, duke rrezikuar dështimin e rasteve penale ku provat kyçe janë siguruar përmes ekzaminimit të pajisjeve kompjuterike dhe duke krijuar pasiguri juridike për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e ndjekjes penale.

Në raport theksohet se, në rast dileme për kushtetutshmërinë e dispozitave të KPPRK-së, gjykatat duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, dhe jo të shmangin zbatimin e ligjit përmes interpretimeve të drejtpërdrejta kushtetuese.

Raporti përfundon me rekomandime të qarta për gjyqësorin, duke kërkuar zbatim konsekuent të ligjit, dallim të qartë ndërmjet përgjimeve dhe ekzaminimit të provave digjitale, si dhe interpretim të dispozitave ligjore në harmoni me Kushtetutën dhe jurisprudencën e GjEDNj-së.

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika