Ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka deklaruar se një nga sfidat më të mëdha, por edhe arritjet më të rëndësishme strategjike gjatë mandatit të tij, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Kosovë, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit.
Në një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, Mehaj ka theksuar se ky proces ka qenë kompleks dhe kërkues, por sipas tij është përmbyllur me sukses dhe me mbështetje të gjerë nga partnerë ndërkombëtarë.
“Një sfidë madhore, e cila njëkohësisht përbën edhe një ndër arritjet më të rëndësishme, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Kosovës, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit. Ky proces ka qenë kompleks dhe kërkues, por është realizuar me sukses. Për këtë iniciativë ekzistojnë dëshmi dhe mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë, ministra e ish-ministra, disa prej të cilëve vazhdojnë ende të jenë pjesë e institucioneve qeveritare”, ka deklaruar Mehaj.
Sipas ish-ministrit, ky hap ka shënuar një moment të rëndësishëm drejt rritjes së vetëqëndrueshmërisë së Kosovës në fushën e mbrojtjes, duke reduktuar varësinë nga importi i municionit dhe duke krijuar bazë për zhvillimin afatgjatë të industrisë vendore të mbrojtjes, njofton Dukagjini.
Krahas inicimit të industrisë së municionit, Mehaj ka renditur edhe konsolidimin e bazës ligjore dhe institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës si arritje kyçe të mandatit të tij.
“Arritja jonë më e madhe gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës ka qenë konsolidimi i plotë i bazës ligjore dhe institucionale për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në këtë kuadër, janë miratuar dhe plotësuar ligje thelbësore, si heqja e kufizimit të numrit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, miratimi i Ligjit për Policinë Ushtarake dhe Ligjit për Inteligjencën Ushtarake, të cilat kanë krijuar themele të qëndrueshme për funksionimin modern dhe profesional të saj”, ka thënë ai.
Mehaj, si pjesë tjetër e rëndësishme e mandatit të tij, thotë ka qenë edhe modernizimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake përmes marrëveshjeve shtet me shtet për të cilat ishte angazhuar personalisht.
“Një arritje e rëndësishme strategjike ka qenë gjithashtu nënshkrimi i marrëveshjeve për blerjen e pajisjeve të avancuara ushtarake, përfshirë mjetet ajrore pa pilot ‘Bajraktar’, mjetet ajrore pa pilot të tipit ‘Puma’, si dhe pajisje të tjera moderne nga shteti mik i Turqisë, përfshirë sistemet kundërtanke të tipit ‘OMTAS’. Po ashtu, janë iniciuar dhe nënshkruar marrëveshje shtet me shtet, të cilat kanë hapur rrugën për shumë blerje të mëvonshme strategjike në fushën e mbrojtjes”, ka deklaruar ish-ministri.
Ai ka përmendur gjithashtu përmirësimin e infrastrukturës ushtarake dhe kapaciteteve logjistike, duke theksuar se gjatë mandatit të tij janë siguruar prona strategjike për nevojat e ushtrisë.
Në planin operacional dhe ndërkombëtar, Mehaj ka theksuar pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrime shumëkombëshe dhe rritjen e rolit të saj si partner i besueshëm i sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe dërgimin e pjesëtarëve të saj në misione paqeruajtëse jashtë vendit.
