Drejtuesi i iniciativës qytetare “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka reaguar pas kritikave dhe akuzave të bëra pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend për rishqyrtim.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar dhe se kërkesa mbetet mbrojtja e të drejtave të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Ai ka rikujtuar protestën 21-ditore dhe 21-netëshe në shesh, duke thënë se kërkesa e tyre ishte që institucionet e Kosovës të merrnin përgjegjësi për mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Haziri ka theksuar se ata vetë kanë kërkuar që ligji të ndryshohet apo të përmirësohet nëse ka nevojë, duke nënvizuar se synimi nuk ka qenë miratimi i një ligji vetëm për hir të votimit, por një ligj që qëndron juridikisht dhe ka efekt real.
“Po shoh shumë reagime e akuza pas kthimit të ligjit në Kuvend, prandaj dua ta sqaroj edhe një herë qëndrimin tonë.
Për 21 ditë e 21 net kemi qëndruar në shesh me një kërkesë të vetme: që institucionet tona të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Kemi protestuar për një kauzë që është shumë më e madhe se secili prej nesh.
Ne vetë kemi kërkuar që, nëse ka diçka në ligj që duhet ndryshuar apo përmirësuar, kjo të bëhet. Sepse ne nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real.
Për ne nuk ka rëndësi kush e propozon apo kush e voton. Ka rëndësi çfarë përmban ligji dhe çfarë mund të bëjë ai.
Do të vazhdojmë ta përcjellim me shumë kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit. Do të vazhdojmë ta monitorojmë edhe zbatimin e çdo neni e çdo shkronje.
Nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë.
Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kërkesa jonë nuk ka ndryshuar. Kauza jonë nuk ka ndryshuar.
Për UÇK-në kemi qëndruar bashkë dhe për UÇK-në do të vazhdojmë të qëndrojmë”, ka shkruar Haziri.