Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në 34 komuna të vendit është përmbyllur verifikimi dhe numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 28 dhjetor.
Elezi, në “FIVE” në Dukagjin, bëri të ditur se numërimi është duke vazhduar në Prishtinë, Pejë, Podujevë dhe Gjilan.
“Qytetarët tashmë veç i dinë hapat pas ditës së zgjedhjeve pasi që nga vitit 2023 ligjit për zgjedhjet ka ndryshuar po asht edhe procedurat që duhet ti ndjekë KQZ-ja, qytetarët i kanë parë këto ndryshime në zgjedhjet e 9 shkurtit por edhe zgjedhjet komunale. Që nga dita e hënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me aktivitetet që kanë për qëllim që sa më shpejt të vijmë tek shpallja e rezultati përfundimtar të zgjedhjeve, në 38 qendra komunale të numërimit kemi filluar numërimin e rezultateve të subjekteve politike që janë plotësuar të dielën dhe ka filluar numërimi i kandidatëve për deputetë”,
“Deri në këto qaste që po flasim pjesa më e madhe e qendrave komunale të numërimit kanë përmbyllur këto aktivitete sipas të dhënave të fundit janë 34 komuna të cilat kanë përmbyllur këtë proces – kanë mbetur vetëm komuna e Prishtinës, Pejës, Podujevës dhe Gjilanit që të përmbyllin aktivitetet dhe të gjitha komunat tjera kanë përfunduar verifikimin dhe numërimin”, u shpreh Elezi.
Elezi, mes tjerash, bëri të ditur se numërimi pritet të përfundojë sonte, por nëse nuk përfundon sonte do të vazhdojë edhe nesër.
“Besojmë që komuna e Podujevës është veçse në fund ndërsa Prishtina, Peje dhe Gjilani kanë një numër të vogël të vendvotimeve dhe nëse nuk përfundon sot deri në mesnatë do të vazhdojë edhe nesër”, tha ai.
Tutje, zëdhënësi i KQZ-së bëri të ditur se sot ka nisur edhe numërimi i votave nga 29 përfaqësitë diplomatike.
“Sot kemi filluar me numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike që u zhvillua me 27 dhjetor në këtë proces të votimit të regjistruar nga 29 përfaqësitë diplomatike ka qenë 19,187 ndërsa kanë votuar më shumë se 16 mijë shtetas – procesi ka filluar për të numëruar këto fletëvotime pastaj në radhë do të jenë numërimi i votimit me postë ku kanë qenë rreth 58 mijë të regjistruar”, u shpreh Elezi.