Një nga bashkëpronarët e barit zviceran ku 40 persona humbën jetën si pasojë e një zjarri në natën e Vitit të Ri është ndaluar nga autoritetet, raportojnë mediat lokale.
Sipas burimeve për mediat zvicerane, bëhet fjalë për Jacques Moretti, shtetas francez, i cili u ndalua për shkak se konsiderohej rrezik për t’u larguar nga vendi, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Kujtojmë se zjarri në lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana la gjithashtu 116 persona të lënduar rëndë, ndërsa shumë prej viktimave ishin nën moshën 20 vjeç.
Gjatë kësaj jave u bë e ditur se lokali në qendrën turistike alpine nuk kishte kaluar kontrolle të sigurisë për pesë vjet.
Jacques Moretti dhe bashkëshortja e tij franceze, Jessica, të cilët janë bashkëpronarë të barit, janë vënë nën hetim penal nga prokuroria zvicerane.
Zyra e prokurorisë në kantonin Valais ka bërë të ditur se ata dyshohen për vrasje nga pakujdesia, lëndim trupor nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia.
Sipas prokurorëve, zjarri dyshohet se ka shpërthyer kur personat që festonin Vitin e Ri ngritën shishe shampanje me fishekzjarre të vendosura mbi to, të cilat ndezën materialin izolues të zërit në tavanin e barit në bodrum.