Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim zyrtar Drejtorin e Ushtrisë së Gardave Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjenerallejtënant Jonathan M. Stubbs, i shoqëruar nga gjeneral major Levon E. Cumpton dhe delegacioni i tij.
Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë takimit u diskutua bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, me theks të veçantë në partneritetin me Gardën Kombëtare të Ajovës, njofton Dukagjini.
Palët vlerësuan lartë mbështetjen e SHBA-së në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me forcat partnere.
Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë partneritet si thelbësor për zhvillimin dhe modernizimin e FSK-së.
Gjatë takimit u theksua se Programi i Partneritetit të Përbashkët (State Partnership Program – SPP) ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe FSK-së përbën një shembull suksesi, me rezultate konkrete në një sërë aktivitetesh të përbashkëta.
Në përmbyllje, të dy gjeneralët u pajtuan se thellimi i bashkëpunimit mbetet thelbësor për avancimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e mbështetjes së SHBA-së në përmbushjen e synimit strategjik të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal.