Prokuroria Themelore e Prizrenit i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren që të caktojë masën e paraburgimit për ish-drejtorin ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, si dhe F.S., dhe Y.Ç.
Siç bëhet e ditur në njoftim, për 35 të pandehurit e tjerë, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës ‘Paraqitja në Stacion Policor’ dhe’ Ndalimin’ për t’iu ofruar vendit ose personit të caktuar, njofton Dukagjini.
Sipas kërkesës së Prokurorisë thuhet se ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë është vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro.
Po ashtu, kujtojmë se prokurorët kanë sekuestruar 23.700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme dhe pajisje elektronike gjatë bastisjeve.
Por, çfarë thuhet për ish-drejtorin Sami Mazrekun dhe ish-drejtorin e financave, Valon Berishën?
Sipas dosjes së Prokurorisë,, Sami Mazreku, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të BKS-së, dhe Valon Berisha, si drejtor i Departamentit të Financave dhe Kontabilitetit, dyshohen se gjatë periudhës korrik 2022 – tetor 2023 kanë vepruar në bashkëkryerje, duke keqpërdorur autorizimet e tyre ligjore.
Prokuroria vlerëson se të dy, duke shfrytëzuar pozitat drejtuese, kanë miratuar dhe realizuar dhjetëra transfere bankare nga llogaria e BKS-së pa dokumentacion mbështetës dhe në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të institucionit.
Në dosje përshkruhen pagesa të shumta, në vlera që variojnë nga disa mijëra deri në mbi 12 mijë euro, të cilat janë realizuar kinse për kompensim dëmesh nga aksidente trafiku. Megjithatë, sipas Prokurorisë, palët përfituese në shumë raste kishin qenë paraprakisht të kompensuara, çka i bën këto pagesa të dyshimta dhe të pajustifikuara.
Dosja thekson se Mazreku dhe Berisha kanë dhënë miratimet për transfere në llogaritë e personave të tretë, të cilët janë paraqitur si përfaqësues të dëmtuarve, pa prova se kishin autorizim të vlefshëm apo bazë ligjore për pagesat.
“Sami Mazreku dhe Valon Berisha si persona përgjegjës gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për persona tjerë kanë përpiluar dokumente me përmbajtje të rreme, me bilance të rreme dhe në këtë mënyrë i kanë vënë në lajthim organet drejtuese në organizatën e biznesit gjatë vendimmarrjes lidhur me veprimtaritë menaxhuese”.
Prokuroria vlerëson se veprimet e dyshuar të Sami Mazrekut dhe Valon Berishës i kanë shkaktuar BKS-së dëm të konsiderueshëm material, ndërsa të njëjtit dyshohen për veprat penale të keqpërdorimit të besimit dhe keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.
“Të pandehurit Sami Mazreku në cilësinë e pozitës Drejtor ekzekutiv dhe Valon Berisha në cilësinë e pozitës Drejtor i Departamentit të Financave dhe Kontabilitetit tek e dëmtuara Byroja Kosovare e Sigurimit në kuadër të detyrave të punës së tyre lidhur me veprimet e tyre, në kundërshtim të rregullave dhe procedurave të brendshme, pa dokumentacion mbështetës, me miratimin e tyre kanë kryer transaksione bankare të pajustifikuara në shumë prej 1,043,284.00 Euro (një milion e dyzet e tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e katër) Euro, nga llogaria bankare e të dëmtuarës BKS tek llogaritë bankare të personave tjerë dhe në këtë mënyrë i kanë vënë në lajthitje organet drejtuese gjatë vendimmarrjes lidhur me veprimtarinë e të dëmtuarës, në atë mënyrë kanë bërë raportime me përmbajtje të bilanceve të rreme të transaksioneve bankare pa bazë“, thuhet në dosje.
Siç bëhet e ditur në kërkesë, Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për disa nga të pandehurit, duke vlerësuar se ekziston rrezik i ndikimit në dëshmitarë, fshehjes së provave dhe përsëritjes së veprës penale.
KËTU e gjeni kërkesën e plotë.