Trump: SHBA-ja duhet ta “zotërojë” Groenlandën për të parandaluar Rusinë dhe Kinën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja duhet ta “zotërojë” Groenlandën për të parandaluar që Rusia dhe Kina të marrin kontrollin mbi këtë territor strategjik.

“Vendet duhet të kenë pronësi dhe të mbrojnë pronësinë. Nuk mbrohen qiratë. Dhe ne do të duhet ta mbrojmë Groenlandën”, tha Trump të premten para gazetarëve, duke iu përgjigjur një pyetjeje të BBC-së.

Ai shtoi se kjo mund të bëhet “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur së fundmi se administrata po shqyrton mundësinë e blerjes së këtij territori gjysmë-autonom, i cili i përket Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s, por nuk ka përjashtuar as mundësinë e aneksimit me forcë.

Danimarka dhe Groenlanda kanë reaguar duke theksuar se territori nuk është në shitje. Kopenhaga ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak do të nënkuptonte fundin e aleancës transatlantike të mbrojtjes.

Edhe pse është territori më pak i populluar, Groenlanda ka një pozicion strategjik mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut, duke e bërë atë të rëndësishme për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast sulmesh me raketa, si dhe për monitorimin e lëvizjeve detare në rajon.

Trump ka përsëritur vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke pretenduar, pa ofruar prova, se ajo është “e mbushur me anije ruse dhe kineze”.

SHBA-ja tashmë ka më shumë se 100 trupa të stacionuara përgjithmonë në bazën ushtarake Pituffik, në veriperëndim të Groenlandës, një bazë që operohet nga SHBA-ja që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA-ja ka të drejtë të dërgojë aq trupa sa dëshiron në Groenlandë.

Megjithatë, Trump tha se një marrëveshje qiraje nuk është e mjaftueshme.
“Vendet nuk mund të bëjnë marrëveshje nëntëvjeçare apo edhe 100-vjeçare. Duhet pronësi”, u shpreh ai.

“I dua njerëzit e Kinës, i dua njerëzit e Rusisë, por nuk i dua si fqinjë në Groenlandë. Kjo nuk do të ndodhë”, shtoi Trump, duke theksuar se edhe NATO duhet ta kuptojë këtë.

Aleatët e Danimarkës në NATO, përfshirë vende të mëdha evropiane dhe Kanadanë, kanë shprehur mbështetje për Kopenhagën, duke deklaruar se “vetëm Danimarka dhe Groenlanda mund të vendosin për çështjet që lidhen me marrëdhëniet e tyre”. Ata theksuan se siguria në Arktik duhet të arrihet “kolektivisht” nga aleatët dhe në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial.

Shqetësimet për të ardhmen e Groenlandës u shtuan pas përdorimit të forcës ushtarake nga Trump në Venezuelë, ku u arrestua presidenti Nicolás Maduro.

Trump kishte bërë edhe në vitin 2019 një ofertë për blerjen e Groenlandës, gjatë mandatit të tij të parë, por ishte refuzuar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të zhvillojë bisedime me Danimarkën javën e ardhshme.

Ndërkohë, interesi për burimet natyrore të Groenlandës është rritur vitet e fundit, përfshirë mineralet e rralla, uraniumin dhe hekurin, të cilat po bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullit nga ndryshimet klimatike. Shkencëtarët besojnë se territori mund të ketë edhe rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

Në një deklaratë të përbashkët të premten mbrëma, liderët e partive politike në Groenlandë, përfshirë opozitën, kërkuan që “mungesa e respektit e SHBA-së ndaj vendit tonë të marrë fund”.

“Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, ne duam të jemi groenlandezë. E ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga populli i Groenlandës”, thuhet në deklaratë.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika