Kina, Rusia dhe Irani kanë nisur të shtunën një javë stërvitjesh të përbashkëta detare në ujërat e Afrikës së Jugut, në atë që vendi pritës e ka përshkruar si një operacion “BRICS Plus” me synimin për të “siguruar lundrimin dhe aktivitetet ekonomike detare”.
BRICS Plus është një zgjerim i bllokut gjeopolitik që fillimisht përfshinte Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, dhe që nga anëtarët shihet si një kundërpeshë ndaj dominimit ekonomik të SHBA-së dhe Perëndimit, duke përfshirë edhe gjashtë vende të tjera, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Edhe pse Afrika e Jugut zhvillon rregullisht stërvitje detare me Kinën dhe Rusinë, këto manovra zhvillohen në një kohë tensionesh të shtuara mes administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe disa vendeve të BRICS Plus, përfshirë Kinën, Iranin, Afrikën e Jugut dhe Brazilin.
Grupi i zgjeruar BRICS përfshin gjithashtu Egjiptin, Indonezinë, Arabinë Saudite, Etiopinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Zyrtarë ushtarakë kinezë që udhëhoqën ceremoninë hapëse thanë se Brazili, Egjipti dhe Etiopia po marrin pjesë si vëzhgues.
“Stërvitja WILL FOR PEACE 2026 bashkon flotat detare të vendeve të BRICS Plus për operacione të përbashkëta të sigurisë detare dhe ushtrime ndërveprimi”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë së Afrikës së Jugut.
Nënkoloneli Mpho Mathebula, zëdhënës i përkohshëm për operacionet e përbashkëta, i tha Reuters se të gjithë anëtarët e BRICS Plus ishin ftuar të merrnin pjesë.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka akuzuar vendet e BRICS për ndjekjen e politikave “anti-amerikane” dhe në janar të vitit të kaluar ka kërcënuar anëtarët e këtij blloku me tarifa tregtare prej 10 për qind, përveç detyrimeve të tjera që po vendoste ndaj vendeve të ndryshme në botë.
Aleanca Demokratike, partia e dytë më e madhe në koalicionin qeverisës të presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, deklaroi se këto stërvitje “bien ndesh me neutralitetin e shpallur” të vendit dhe se BRICS e ka “shndërruar Afrikën e Jugut në një peng në lojërat e pushtetit të shteteve problematike në skenën ndërkombëtare”.
Mathebula i hodhi poshtë këto kritika, duke theksuar se stërvitjet nuk kanë karakter politik.
“Kjo nuk është një marrëveshje politike… nuk ka armiqësi ndaj SHBA-së”, tha ai për Reuters, duke kujtuar se Afrika e Jugut zhvillon herë pas here edhe stërvitje me Marinën e SHBA-së.