Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar në 27-vjetorin e vrasjes, Enver Malokun, intelektualin, atdhetarin dhe bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Ibrahim Rugova.
Osmani vlerëson se Maloku, i njohur si zëri i urtësisë dhe i dinjitetit, kontribuoi në komunikimin politik dhe promovimin e vizionit rugovian për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt Perëndimit.
Tutje, Osmani thekson se vrasja e tij mbetet një krim që kërkon drejtësi.
“Enver Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit. I shërbeu atdheut me integritet dhe përkushtim, duke lënë gjurmë të thella në rrugën tonë shtetformuese. Vrasja e Enver Malokut është krim që ende kërkon vënien e autorëve para drejtësisë. Është obligim i institucioneve të drejtësisë dhe borxh ndaj zërit të së vërtetës sonë”, ka shkruar Osmani.