Sekretari i përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, është pyetur lidhur me komentet e presidentit amerikan Donald Trump për Grenlandën, gjatë vizitës së tij në Kroaci, ku u takua me kryeministrin Andrej Plenković.
Rutte ka theksuar se beson se Trump po ndërmerr hapa të duhur për NATO-n, veçanërisht duke inkurajuar aleatët evropianë të rrisin shpenzimet për mbrojtje në nivel të krahasueshëm me ato të Shteteve të Bashkuara.
Ai u shpreh i bindur se pa Donald Trump nuk do të ishte arritur rezultati i samitit të mbajtur vitin e kaluar në Hagë, ku u vendos rritja e pragut të shpenzimeve për mbrojtje në 5 për qind të PBB-së.
“Pra, kur lavdëroj dikë, kjo bazohet në fakte dhe besoj se faktet janë aty”, deklaroi Rutte.
Megjithëse nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes mbi komentet e Trump për Grenlandën, ai tha se mirëpret diskutimet mes aleatëve për forcimin e bashkëpunimit dhe përfshirjen më të madhe në Arktik dhe veriun e largët.
“Keni parë disa njoftime nga britanikët dhe gjermanët sot. Ne po punojmë së bashku për të parë se si mund të bashkohemi realisht si një aleancë, duke përfshirë shtatë anëtarët tanë që kufizohen me veriun e largët dhe Arktikun, për të ndërtuar hapin e ardhshëm, i cili është thelbësor”, tha ai.
Rutte shtoi se Danimarkë po përshpejton investimet në mbrojtje, përfshirë aftësitë specifike për mbrojtjen e territoreve si Grenlanda.
“Ne po punojmë vërtet së bashku këtu. Shqetësimi im i vetëm është se si të qëndrojmë të sigurt kundër rusëve, kundër çdo kundërshtari tjetër – shikoni se çfarë po bën Kina duke ndërtuar me shpejtësi forcat e saj të armatosura, por edhe Koreja e Veriut dhe të tjerët që mund të na dëshirojnë të keqen. Ky është roli im dhe besoj se do t’ia dalim mbanë”, përfundoi Rutte.