Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se do të marrë përgjegjësi politike për rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke ofruar dorëheqjen e tij para Kuvendit të LDK-së, i cili më pas do të vendosë për hapat e ardhshëm.
Deklarata e Abdixhikut erdhi pas një mbledhjeje maratonike që zgjati mbi pesë orë, e zhvilluar me drejtuesit kryesorë të partisë.
Ai bëri të ditur se LDK-ja ka vendosur fillimisht të thërrasë Kryesinë dhe më pas Kuvendin e partisë, ku do të diskutohet situata paszgjedhore dhe përgjegjësia politike.
“LDK-ja është unike, është e bashkuar, i shtron çështjet në konsultime të tilla dhe do t’i formalizojë tutje në organet partiake. Ishte takim joformal i kryetarit me bashkëpunëtorët e vet. Takimi i vetëm formal është ai i Kryesisë që pritet të ndodhë javën e ardhshme. Pas mbledhjes së Kryesisë, do të mbahet Kuvendi i LDK-së”, ka thënë kreu i LDK-së.
“E kam obligim moral të marrë përgjegjësinë dhe nëpërmjet ofrimit të dorëheqjes te Kuvendi i LDK-së, të lë që pastaj të vendosë Kuvendi”, ka thënë Abdixhiku.