Shtatë vende, përfshirë Arabinë Saudite, Turqinë dhe Egjiptin, kanë konfirmuar se do të bashkohen me Bordit e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, sipas një deklarate të përbashkët.
Këto vende me shumicë myslimane janë, Arabia Saudite, Turqia, Egjipti, Jordania, Indonezia, Pakistani dhe Katari. Ato do t’i bashkohen Izraelit, i cili kishte konfirmuar më parë pjesëmarrjen e tij.
Bordi fillimisht mendohej se kishte për qëllim përfundimin e luftës dyvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe mbikëqyrjen e rindërtimit, por statuti i tij nuk përmend territorin palestinez dhe duket se synon të zëvendësojë disa funksione të OKB-së.
Megjithatë, Arabia Saudite tha se vendet mbështesin konsolidimin e një armëpushimi të përhershëm në Gaza, ndihmën për rindërtim dhe promovimin e një “paqjeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha se kishte refuzuar ftesën, duke e konsideruar bordin si një ndërhyrje të rrezikshme në rendin ndërkombëtar.
Derisa tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe Bahreini, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Hungaria, Kazakistani, Maroku dhe Vietnami, nuk dihet saktësisht sa vende janë ftuar gjithsej. Kanadaja, Rusia dhe Britania e Madhe janë ndër ftuarit që nuk kanë dhënë përgjigje publike, ndërsa Vatikani ka konfirmuar se Papa Leo ka marrë ftesën dhe po e shqyrton pjesëmarrjen.
Sipas një dokumenti të rrjedhur, statuti i Bordit të Paqes hyn në fuqi kur të paktën tre shtete bien dakord të jenë të lidhura me të. Anëtarët do të kenë mandate trevjeçare të rinovueshme, ndërsa ata që kontribuojnë 1 miliard dollarë mund të kenë vende të përhershme.
Trump do të shërbejë si kryetar dhe përfaqësues i SHBA-së, me autoritet për të emëruar anëtarë të bordit ekzekutiv dhe për të krijuar ose shpërndarë trupat nën-shtetërore.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, bordi fillestar përfshin sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, emisarin për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Ish-emisari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, do të jetë përfaqësuesi i bordit në Gaza gjatë fazës së dytë, që përfshin rindërtimin dhe demilitarizimin.
Zyra e kryeministrit izraelit Netanyahu tha se përbërja e Bordit Ekzekutiv për Gazën nuk ishte koordinuar me Izraelin dhe është në kundërshtim me politikën e tij. Mediat izraelite raportuan se përfshirja e përfaqësuesve të Turqisë dhe Katarit kishte ndodhur “pa dijeninë e Izraelit”, pavarësisht se këto vende, së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në, kishin ndihmuar në ndërmjetësimin e armëpushimit të tetorit.
Faza e parë e planit të paqes përfshinte armëpushim, shkëmbim të të burgosurve dhe të kapurve, tërheqje të pjesshme të Izraelit dhe rritje të ndihmës humanitare. Izraeli ka thënë se mund të vazhdojë në fazën e dytë vetëm pasi Hamas dorëzon trupin e të fundit të kapurit të vdekur.
Faza e dytë ka sfida të mëdha, pasi Hamas ka refuzuar dorëzimin e armëve pa krijimin e një shteti palestinez të pavarur, ndërsa Izraeli nuk ka premtuar tërheqje të plotë nga Gaza.
Armëpushimi mbetet i brishtë, më shumë se 460 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga fillimi i tij, ndërsa tre ushtarë izraelitë janë vrarë nga sulmet palestineze.
Lufta filloi më 7 tetor 2023, kur Hamas sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe marrë 251 të tjerë peng. Izraeli iu përgjigj me një fushatë ushtarake në Gaza, ku sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës kanë humbur jetën mbi 71,550 persona./BBC