Ukraina raporton sulme ruse, disa orë pas bisedimeve të para trepalëshe me SHBA-në në Abu Dhabi

Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh ajror gjatë natës ndaj Ukrainës deri më tani këtë vit, njoftuan autoritetet lokale të shtunën, vetëm disa orë pasi negociatorë nga Kievi, Moska dhe Uashingtoni u takuan për herë të parë në një format trepalësh që nga nisja e luftës dhe ranë dakord të vazhdojnë bisedimet gjatë fundjavës.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, raketa dhe dronë goditën kryeqytetin Kiev, duke detyruar aktivizimin e mbrojtjes ajrore, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.

Të paktën një person humbi jetën dhe katër të tjerë u plagosën, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

Ai shtoi se mbetjet e raketave shkaktuan zjarre dhe dëmtime në ndërtesa, ndërsa rreth 6 mijë blloqe banimi mbetën pa ngrohje, dhe pjesë të qytetit u ndërprenë nga furnizimi me ujë.

Në mëngjesin e së shtunës, temperaturat në Kiev zbritën në -12 gradë Celsius.

Edhe Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës në verilindje, u vu në shënjestër.

Kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se sulmet dëmtuan një spital materniteti dhe një konvikt për persona të zhvendosur, duke lënë të paktën 19 të plagosur, mes tyre një fëmijë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se gjatë natës Rusia lëshoi më shumë se 370 dronë dhe 21 raketa, duke goditur gjithashtu zonat e Sumy dhe Chernihiv.

Ai theksoi se sulmet u përqendruan te sektori energjetik, i cili është “jetik” gjatë dimrit të ashpër.

Sulmet ndodhën pak pasi delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës përfunduan ditën e parë të bisedimeve me përfaqësues amerikanë në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rusia u përfaqësua nga një delegacion ushtarak, përfshirë një zyrtar të lartë të shërbimeve sekrete dhe shefin e inteligjencës ushtarake. Ukraina dërgoi negociatorë të lartë, diplomatë dhe zyrtarë të sigurisë. SHBA u përfaqësuan nga i dërguari i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhëndri i tij Jared Kushner, si dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Josh Gruenbaum.

Burime diplomatike sugjerojnë se bisedimet u përqendruan kryesisht te çështja e territorit, veçanërisht rajoni lindor i pasur me minerale, Donbasi, i cili ka lumenj të rëndësishëm dhe tokë bujqësore pjellore. Rusia ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të heqë dorë nga zonat e Donbasit që ende i kontrollon, kërkesë që Kievi e ka refuzuar në mënyrë të përsëritur.

Administrata Trump ka ushtruar presion ndaj Ukrainës për të pranuar një marrëveshje paqeje, mes shqetësimeve se një marrëveshje e tillë mund të jetë në favor të Moskës.

Gati katër vjet pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesë të Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias.

Pas përfundimit të bisedimeve të së premtes, negociatori kryesor ukrainas Rustem Umerov shkroi në platformën X se takimi ishte përqendruar në arritjen e një “paqjeje dinjitoze dhe të qëndrueshme”, duke falënderuar SHBA-në për ndërmjetësimin.

“Takime shtesë janë planifikuar për nesër,” shkroi ai.

Presidenti Zelensky u shpreh më i rezervuar, duke thënë se është “shumë herët” për të nxjerrë përfundime.

“Do të shohim si do të zhvillohen bisedimet nesër dhe cilat do të jenë rezultatet,” tha ai në fjalimin e përditshëm, duke shtuar se qëndrimi i Ukrainës është i qartë dhe se ai ka përcaktuar kornizën e dialogut për delegacionin e tij.

Shija e redaktorit

Kosova ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nënshkruan Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Osmani gjatë momentit...

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

Të fundit nga rubrika