Zelensky thotë se dokumenti amerikan për garancitë e sigurisë është 100% gati

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se dokumenti i Shteteve të Bashkuara për garancitë e sigurisë ndaj Ukrainës është plotësisht i përgatitur dhe se Kievi po pret vetëm konfirmimin e datës dhe vendit për nënshkrim.

Duke folur në një konferencë për media gjatë vizitës në Vilnius të Lituanisë, Zelensky tha se për Ukrainën garancitë e sigurisë nënkuptojnë para së gjithash garanci të drejtpërdrejta nga SHBA-ja.

“Dokumenti është 100 për qind gati. Ne po presim nga partnerët tanë që të konfirmojnë datën dhe vendin kur do të nënshkruhet”, u shpreh Zelensky, raporton Reuters.

Ai shtoi se pas nënshkrimit, dokumenti do të dërgohet për ratifikim në Kongresin amerikan dhe në parlamentin e Ukrainës.

Deklarata vjen pas bisedimeve të mbajtura të premten dhe të shtunën në Abu Dhabi, ku negociatorë ukrainas dhe rusë zhvilluan takimin e parë trilateral me ndërmjetësimin e SHBA-së, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e katërt.

Megjithëse nga këto bisedime nuk u arrit ndonjë marrëveshje konkrete, të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për vazhdimin e dialogut. Një zyrtar amerikan ka bërë të ditur se takime të tjera priten të mbahen të dielën e ardhshme në Abu Dhabi.

Zelensky tha se gjatë bisedimeve po diskutohet plani amerikan me 20 pika, duke theksuar se disa nga çështjet problematike tashmë janë zvogëluar.

Ai akuzoi Moskën se po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të heqë dorë nga rajonet lindore që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë që nga nisja e agresionit të plotë, por theksoi se Kievi nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij për ruajtjen e integritetit territorial.

“Këto janë dy pozicione thelbësisht të ndryshme – i Ukrainës dhe i Rusisë. Amerikanët po përpiqen të gjejnë një kompromis”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se për një zgjidhje duhet gatishmëri për kompromis nga të gjitha palët.

Shija e redaktorit

Kosova ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nënshkruan Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Osmani gjatë momentit...

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

Të fundit nga rubrika