Rreth 60 komisionerë të dyshuar për manipulim të rezultatit zgjedhor të 28-dhjetorit në Malishevë janë duke u intervistuar në stacionin policor në Gjakovë.
Kujtojmë se Prokuroria Themelore e Gjakovës ka nisur një aksion të gjerë në komunën e Malishevës lidhur me dyshimet për manipulimet dhe vjedhjet e votave gjatë zgjedhjeve, njofton Dukagjini.
Këtë për Dukagjinin e ka konfirmuar edhe Drin Domi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
“Ka të bëj me aksionin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore gjatë numërimit brenda subjekteve politike, për deputetë në komunën e Malishevës – personat janë duke u intervistuar dhe hetim është duke u bërë vetëm në komunën e Malishevës”, tha Domi.
Po ashtu pas përfundimit të procesit të intervistimit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi do të mbaj konferencë për media në ora 15:00 bashkë me policinë e që ka të bëjë rreth aksioni.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjakovë, përkatësisht Kryeprokurori z. Enis Gashi, së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot (28 janar 2026) konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Malishevës. Konferenca do të mbahet sot në orën 15:00, në objektin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kati i parë, Salla e Konferencave”, thuhet në komunikatën e Prokruorisë Themelore të Gjakovës.