Me nisjen e fjalëve përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënime prej 45 vjetësh burg për secilin nga të akuzuarit, ndërsa monitoruesit e procesit kanë theksuar rëndësinë e vlerësimit individual të provave dhe aplikimit të ligjit më të favorshëm.
Avokati Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka sqaruar se procedura gjyqësore parasheh që fillimisht fjalët përfundimtare të paraqiten nga Prokuroria, më pas nga pala e dëmtuar dhe në fund nga ekipet mbrojtëse.
Ai tha se kryeprokurorja Kimberly West, në paraqitjen e saj hyrëse, ka bërë një përmbledhje të argumenteve që Prokuroria do të paraqesë dhe ka theksuar kërkesën për dënimin e secilit të akuzuar me nga 45 vjet burg.
Sipas Alijës, Prokuroria këmbëngul në mbrojtjen e akuzave ndaj katër të pandehurve, duke kërkuar përgjegjësi individuale për veprimet e tyre.
“Po, siç e dini, sot kanë filluar fjalët përfundimtare të palëve në procedurë dhe, siç e kërkon procedura, fillohet me paraqitjen e fjalëve fillimisht nga Prokuroria, pala e dëmtuar dhe pastaj nga mbrojtja. Në fjalën hyrëse, në fjalën përfundimtare apo në pjesën e parë të kësaj fjale, Prokurorja Speciale e ka bërë një përmbledhje të shkurtër se çka do të pasqyrojnë dhe prezantojnë prokurorët në, gjatë këtyre orëve të parashtrimit të fjalës përfundimtare. Dhe në mesin e informatave, ajo e ka cekur se ka kërkuar që secili të dënohet nga 45 vite, s’paku ashtu është përkthyer në gjuhën shqipe, dhe sigurisht që Prokuroria pretendon dhe këmbëngul që t’i mbron akuzat me të cilat i ka ngarkuar katër të pandehurit”, tha ai.
Avokati theksoi se praktika ndëshkimore për krimet e luftës ka ndryshuar ndër vite. Sipas tij, në gjykatat vendore dënimet për këto vepra kanë qenë nga pesë deri në 15 vjet burg, ndërsa në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dënimet kanë shkuar nga 14 deri në 22 vjet, kryesisht për eprorë të forcave serbe.
“Po në rast se gjykata do të gjen provat fajësuese, me të cilat i ngarkon Zyra e Prokurorisë, sigurisht që gjykata e ka për obligim që ta aplikon parimin Lex Mitior, pra ligjin më të favorshëm me rastin e aplikimit të, e aplikimit të dënimit. Po ashtu, gjykata duhet ta ketë parasysh edhe praktikën ndëshkimore për këto vepra penale. Pra, lidhur me krimet e luftës, deri më tani janë krijuar dy praktika; pra e kemi praktikën nga gjykatat vendore, të cilën e zbatojnë gjykatat nacionale, po ashtu edhe kemi praktikën ndëshkimore të TPNJ-së (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë). Për veprat penale të cilat ndërlidhen, me krimet e luftës, dhe personat të cilët janë gjykuar për këto vepra penale qoftë pranë gjykatave vendore apo pranë Tribunalit të Hagës, politika ndëshkimore ka shkuar në gjykatat vendore prej 5 deri në 15 vite burgim; tekTribunali i Hagës politika ndëshkimore ka shkuar prej 14 vite deri në 22 vite, ku kryesisht eprorët apo përgjegjësit të forcave serbe janë dënuar me këto, me kaq vite burgim. Tani sigurisht që ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë ligji i RSFJ-së, i cili është ligji më i favorshëm me rastin e aplikimit të dënimeve për personat të cilët gjykohen për këto vepra penale”, tha ai.
Alija gjithashtu vuri në pah se procesi gjyqësor është karakterizuar nga një nivel i lartë mbrojtjeje për dëshmitarët e Prokurorisë, duke bërë që rreth gjysma e tyre të jenë dëgjuar me masa mbrojtëse dhe një pjesë e madhe e seancave të jenë zhvilluar me redaktime për publikun.
Sipas tij, kjo ka krijuar vështirësi për monitoruesit dhe mediat në ndjekjen e plotë të procedurës.
“Po ne siç e kemi parë, ky proces gjyqësor, sidomos dëshmitarët e Prokurorisë, gati në 50% të dëshmitarëve kanë qenë të mbrojtur për publikun dhe seancat kanë qenë në një përqindje të madhe të redaktuara për publikun. Sigurisht që ka qenë, vështirësi edhe për monitoruesit, por edhe për mediat që t’i monitorojnë prej fillimit deri në fund pa pengesa këto procese gjyqësore. Sigurisht që ne, si monitorues, opinioni kemi kufizime në prova, kemi kufizime në, vlerësimin e provave dhe sigurisht që lidhur me këtë trupi gjykues, pas analizimit të secilës provë veç e veç, të secilës dëshmi veç e veç, do të merr një vendim meritor. Sigurisht që për neve të cilët nuk kemi qasje të plotë në shkresat e lëndës, nuk është profesionale që të lëshohemi në vendimet gjyqësore”, tha avokati Alija.
Kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh veç e veç për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke theksuar se Zyra e Prokurorit kërkon përgjegjësi individuale dhe jo dënim për strukturat e përgjithshme të UÇK-së.
