Interesimi dhe përfshirja e lartë e nxënësve në bashkëbisedimin për lektyrat shkollore e karakterizoi prezantimin dhe promovimin e 26 titujve nga shtëpia botuese “Dukagjini”, në Vushtrri.
“Duke lexuar”.
Kështu iu përgjigj një nga fëmijët, pyetjes se si mund të udhëtojnë duke qëndruar ulur në shtëpi.
Në sallën e mbushur, të shtëpisë së kulturës “Hasan Prishtina”, të vegjlit patën përgjigje për secilën nga pyetjet.
“A më tregoni, cili personazh është ky? Te cili libër e keni takuar?
“Liza në botën e çudirave!”
Për klasat një, dy, tre dhe pesë, u prezantuan nga pesë tituj, ndërsa për klasën e katërt gjashtë tituj.
“Sot kishim mbi 250 të ftuar dhe ishte një prej promovimeve më të mira që i kemi mbajtur këto ditë. Fëmijët ishin jashtëzakonisht të lexueshëm, këtë e vërejta gjatë bashkëbisedimit me ta. Pothuajse, i njihnin të gjitha lektyrat shkollore, personazhet dhe me të vërtetë ishte një kënaqësi shumë e madhe. Pastaj diskutuam edhe për shumë gjëra tjera për librin, e kjo është edhe një motivim për ne që të vazhdojmë të punojmë për këta fëmijë dhe të sjellim libra sa më të mirë”, ka thwnw Jeta Zymberi nga Shtwpia Botuese”Dukagjini”.
E lumtur me atë që pa ishte një nga mësimdhënëset, e cila vuri në pah nevojën për të tilla organizime, siç u shpreh, veçmas në kohën të dominimit të teknologjisë.
“Ky organizim i juaji ka qenë me të vërtetë edhe i nevojshëm edhe i këndshëm, dhe gjithçka ka qenë në nivelin më të lartë. Shpresoj që organizime të tilla do të bëhet më shpesh, sepse i kontribuojnë edhe fëmijëve dhe e ngrisin ndërgjegjësimin dhe vetëdijen për lexim, sepse kohët e fundit ka rënë interesimi për lexim”, ka thwnw mwsimdhwnsja Mirjeta Maxhuni.
Shtëpia botuese “Dukagjini” do të vijojë me prezantimin e 26 titujve të lektyrave shkollore, nga autorë vendorë dhe ndërkombëtarë, edhe në komuna tjera.
