Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, ka reaguar ndaj pretendimeve të Prokurorisë së Hagës për krime gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.
Jashari i ka cilësuar këto akuza si vazhdimësi të propagandës serbe, që sipas tij ka depërtuar me lehtësi edhe në këtë gjykatë.
“Me shqetësim të madh po ndjek pretendimet e rrezikshme të Prokurorisë së Gjykatës Speciale rreth luftës sonë çlirimtare.
Të gjitha këto akuza janë vazhdimësi e gjithë propagandës serbe, e cila fatkeqësisht ka arritur të depërtojë me lehtësi edhe në këtë gjykatë.
Vendimet e kësaj gjykate duhet të jenë të mbështetura në fakte, e faktet dhe argumentet janë në anën e popullit që kërkoi liri dhe krijoi UÇK-në, e cila fitoi mbështetjen ndërkombëtare të miqve tanë dhe, bashkë me NATO-n, sollën lirinë tonë.
Për këtë luftë të drejtë, që respektoi ligjet ndërkombëtare të luftës, dëshmoi edhe bota demokratike me fakte se UÇK-ja është e pastër si loti dhe aleati kryesor i NATO-s për të instaluar paqen në Ballkan. Kjo është prova se Kosova nuk ishte agresori.
Në Kosovë kishte vetëm një palë që kishte bërë krime, madje makabre, ajo është Serbia, kriminelët e së cilës shëtisin të lirë, ani pse kanë vrarë më shumë se 10.000 shqiptarë, mbi 100 masakra janë kryer ndaj civilëve, përfshirë fëmijë dhe pleq, rreth 1 milion njerëz janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, mbi 20.000 gra e vajza kanë përjetuar dhunë seksuale, vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse nuk duronin më të jetonin në robëri.
Drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që viktima të barazohet me agresorin.
Andaj kjo gjykatë nuk mund të dënojë askënd në emër të këtij populli, sepse ky popull e krijoi UÇK-në, UÇK-ja është vetë populli”, ka shkruar Jashari.
