Teherani kërkon heqjen e sanksioneve për marrëveshje bërthamore me Uashingtonin

Irani është i gatshëm të shqyrtojë kompromise për të arritur një marrëveshje bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse Uashingtoni pranon të diskutojë heqjen e sanksioneve, thotë zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takht-Ravanchi.

Ai theksoi se “topi është në fushën e Amerikës për të dëshmuar se dëshiron një marrëveshje”, duke shtuar se nëse SHBA-ja tregohet e sinqertë, atëherë “rruga drejt një marrëveshjeje është e hapur”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Nga ana tjetër, zyrtarë amerikanë kanë deklaruar vazhdimisht se është Irani ai që po zvarrit procesin e negociatave. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha së fundmi se presidenti Donald Trumppreferon një marrëveshje, por se është “shumë e vështirë” të arrihet një e tillë me Teheranin.

Trump ka paralajmëruar me sulme ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje për kufizimin e programit të tij bërthamor, ndërkohë që SHBA-ja ka shtuar praninë ushtarake në rajon.

Bisedimet e fundit indirekte mes dy vendeve janë zhvilluar në Oman në fillim të shkurtit, ndërsa një raund i dytë pritet të mbahet në Gjenevë. Takht-Ravanchi i përshkroi diskutimet si “në përgjithësi pozitive”, por theksoi se është ende herët për të nxjerrë përfundime.

Zëvendësministri iranian theksoi se Teherani ka ofruar të hollojë uraniumin e pasuruar në nivelin 60%, si dëshmi e gatishmërisë për kompromis. Aktualisht, Irani ka mbi 400 kilogramë uranium të pasuruar në nivele të larta, çka ka rritur shqetësimet ndërkombëtare për mundësinë e zhvillimit të një arme bërthamore – akuzë që Irani e mohon vazhdimisht.

Ai nuk konfirmoi nëse Irani do të pranonte ta dërgonte jashtë vendit këtë rezervë uraniumi, siç kishte bërë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila administrata Trump u tërhoq në vitin 2018. Në atë kohë, Rusia kishte pranuar mbi 11 mijë kilogramë uranium të pasuruar në nivel të ulët.

Takht-Ravanchi theksoi gjithashtu se Irani nuk do të diskutojë programin e tij të raketave balistike me negociatorët amerikanë, duke e konsideruar atë si pjesë të kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Ai kritikoi deklaratat e ndryshme të Trump, veçanërisht përmendjen e mundshme të ndryshimit të regjimit në Iran, duke thënë se mesazhe të tilla nuk janë përcjellë në kanalet diplomatike.

Sipas tij, një konflikt i ri do të ishte “traumatik dhe i dëmshëm për të gjithë rajonin”, ndërsa paralajmëroi se nëse Irani e ndjen veten të kërcënuar në mënyrë ekzistenciale, do të reagojë.

Pavarësisht skepticizmit të shumë vëzhguesve për arritjen e një marrëveshjeje të re, zyrtari iranian u shpreh se delegacioni i Teheranit do të shkojë në Gjenevë me shpresën se mund të arrihet një dakordim, duke theksuar se edhe pala tjetër duhet të dëshmojë sinqeritet.

Shija e redaktorit

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Të fundit nga rubrika