Përfaqësues të platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, kanë qëndruar sot në Burojë të Drenicës, ku vizituan nënën e ish-presidentit Hashim Thaçi, Hyrë Thaçi.
Kjo vizitë vjen në një periudhë të ndjeshme, teksa procesi gjyqësor në Hagë po i afrohet fazës përmbyllëse. Gjatë qëndrimit të tyre, përfaqësuesit e platformës shprehën solidaritet me nënën Hyrë dhe familjen Thaçi, duke theksuar bindjen se drejtësia do të vihet në vend, njofton Dukagjini.
Ata e informuan gjithashtu për organizimin e marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, si formë e mbështetjes publike për ish-drejtuesit e UÇK-së që po përballen me gjykimin në Hagë.
“Qëndrojmë pranë nënës Hyrë me respekt dhe mirënjohje për sakrificën e saj. Besojmë se drejtësia do të triumfojë dhe se Presidenti Thaçi do të kthehet sa më shpejt në shtëpi, pranë familjes dhe popullit të tij”, tha Eliza Hoxha.
Edhe Ismail Tasholli theksoi rëndësinë e figurës së Thaçit për vendin, duke u shprehur: “Ai i mungon vendit tonë në këtë kohë sfidash. Kemi shumë punë për të bërë dhe besojmë se do të rikthehet për të vazhduar kontributin e tij”.
Nga ana tjetër, nëna Hyrë falënderoi përfaqësuesit për vizitën dhe për mbështetjen e treguar në këtë periudhë. Platforma “Liria ka Emër” rikonfirmoi përkushtimin e saj për një drejtësi të paanshme dhe për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare, duke shprehur besimin se çlirimtarët do të kthehen së shpejti në Kosovë.