Qindra mijëra njerëz dolën në protesta në qytete të ndryshme të botës kundër qeverisë së Iranit, pas thirrjes për një “ditë globale veprimi” nga Reza Pahlavi, djali në mërgim i shahut të fundit iranian.
Tubimi më i madh u mbajt në Munich, ku sipas organizatorëve morën pjesë rreth 250 mijë persona. Protesta të mëdha u zhvilluan gjithashtu në Los Angeles dhe Toronto, ndërsa tubime më të vogla pati në Tel Aviv, Lisbon, Sydney dhe London.
Duke iu drejtuar turmës në Mynih, Pahlavi – i cili ka bërë thirrje për rrëzimin e regjimit islamik në Iran – dënoi ashpër shtypjen e protestave brenda vendit.
“Mesazhi im i parë për bashkatdhetarët tanë të guximshëm në Iran është, dijeni se nuk jeni vetëm. Sot bota qëndron me ju në këtë përballje”, tha ai.
Sipas vlerësimeve, më shumë se 6 mijë persona janë vrarë pas përfshirjes në protestat që fillimisht nisën për shkak të rritjes së kostos së jetesës, por që më pas u shndërruan në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë.
Agjencia me bazë në SHBA, Human Rights Activists News Agency (HRANA), ka konfirmuar 6.872 viktima, përfshirë mbi 150 fëmijë. Autoritetet iraniane kanë pranuar se të paktën 3 mijë persona janë vrarë, duke pretenduar se disa prej tyre ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Në Toronto, ku sipas raportimeve morën pjesë rreth 350 mijë protestues, pjesëmarrësit thanë për BBC Persian se po protestonin në emër të familjarëve dhe miqve të tyre në Iran.
Edhe vajza e Pahlavit, Noor Pahlavi, iu drejtua turmës në Los Angeles, duke deklaruar se iranianët “kurrë nuk kanë qenë kaq afër çlirimit nga ky regjim islamik”. Ajo i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të ndërpresë bisedimet bërthamore me udhëheqjen iraniane, duke i quajtur ato “negociata me vrasës”.
Trump deklaroi të premten se një ndryshim i qeverisë në Iran do të ishte “gjëja më e mirë që mund të ndodhë”, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ai i referohej drejtpërdrejt Pahlavit. Muajin e kaluar, në një prononcim për Reuters, ai e përshkroi Pahlavin si “shumë të sjellshëm”, por shprehu dyshime nëse ai do të mund të siguronte mbështetje të mjaftueshme brenda Iranit për të marrë drejtimin e vendit.
Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor, të nxitura nga kriza ekonomike dhe pakënaqësia e vazhdueshme me udhëheqjen e vendit. Demonstratat u përhapën në mbi 100 qytete dhe komuna në të gjitha provincat e Iranit, raporton BBC.
Reza Pahlavi ishte vetëm 18 vjeç kur Revolucioni Islamik i vitit 1979 rrëzoi monarkinë e babait të tij. Sot, gati 50 vjet më vonë, ai po përpiqet sërish të ndikojë në të ardhmen politike të Iranit.
Megjithatë, kritikët e tij vënë në pikëpyetje nëse vizioni i tij do të çonte drejt një republike demokratike apo do të rrezikonte rikthimin e monarkisë – një akuzë që ai e ka mohuar vazhdimisht.