Me ngritjen solemne të flamurit shtetëror, Kosova ka nisur ceremonitë zyrtare për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë.
Flamuri i Kosovës u ngrit në oborrin e ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, në praninë e krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Presidentja Osmani e cilësoi këtë ditë si moment reflektimi dhe krenarie, duke nderuar sakrificën e brezave që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, ka thënë Osmani.
Kryeministri Kurti ka theksuar përparimin e vendit në forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik gjatë këtyre viteve.
“Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia, 18-vjetori, dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, kryeparlamentarja Haxhiu u shpreh se 17 shkurti është ditë nderimi për të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë.
“Sot shënojmë 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mbase një republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar se liria kërkon angazhim të përditshëm. Sot, por edhe çdo ditë tjetër, kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë që ne sot e gëzojmë. Pra, dëshmorët e kombit dhe martirët. Por po ashtu nderojmë edhe figurat e larta që kontribuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale që funksionojnë me integritet dhe po ashtu me profesionalizëm”, ka deklaruar Haxhiu para mediave.